Në autostradën Tiranë – Elbasan ku muajt e fundit janë regjistruar aksidente të rënda me pasoja fatale, drejtues mjetesh vijojnë të lëvizin me shpejtësi tej normave të lejuara.

Për këtë arsye rrugorët vijojnë kontrollet me radar edhe gjatë natës duke konstatuar shpejtësi të lartë dhe manovra të rrezikshme.

Në këtë aks limiti i lëvizjes është 90 km në orë por shoferë të papërgjegjshëm shpejtojnë deri në dyfishin e lejuar.

Dhe të ndëshkuarit nuk kanë qenë pak. Sipas policisë në vetëm 1 javë, 135 shoferë, kanë humbur të drejtën për të drejtuar mjetin disa muaj, vetëm për të fituar disa sekonda më shumë drejt destinacionit të tyre, e nëse diçka me mjetin apo me rrugën shkon keq, me një shpejtësi të tillë, për ta mund të ishte ,  udhëtimi i fundit.

Rrugorët nuk ngurojnë ti cilësojnë këto raste si çmenduri në rrugë ndërkohë që apelojnë se etja për shpejtësi krahas rrezikut të lartë për jetën dhe përdoruesit e tjerë të rrugës sjell edhe heqjen e patentës për një kohë të gjatë duke paralajmëruar se kontrollet do të vijojnë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re