Deputeti i Partisë Demokratike Etien Xhafaj ka qenë i ftuar në studion e lajmeve të Fax Neës, ku ka folur për rinisjen  sezonit të ri parlamentar, që këtë katërvjeçar do të bëhet dhe me praninë e opozitës. Xhafaj nuk pranoi të komentonte zhvillimet në kampin opozitar, sa i takon çështjes Berisha, dhe tha se mazhoranca fokusin e vetëm ka shërbimin e qytetarëve, duke i shpërblyer për mbështetjen që i kanë dhënë në mandatine  tretë.

“Në fund të ditës të gjithë deputetët votohen nga populli, është një risi e mirëpritur nga shqiptarët dhe nga ne. Në parlament diferenca bëhet se kanë hyrë me tre grupe parlamentare, në njëfarë mënyrë për të balancuar numrat në konferencat e kombëtare, pjesë tjetër se çfarë ndodh në kampin opozitar nuk duhet të komentohet prej nesh. Prioriteti ynë është që mbështetjen e qytetarëve ta shndërrojmë në zgjidhje për shqetësimet e tyre. Ne jemi duke u rikuperuar pas një periudhe krizash të mëdha siç ishte ajo e tërmetit dhe e pandemisë.

Nuk mund të ketë të njëjtin program një forcë që ka mandatin e saj të tretë, me një forcë që synon  të vijë në qeveri. Është një program vazhdimësie, kapitalizon investimet e mëdha si rrugët, aerportet, hekurudhat, dhe sidomos duke u përkushtuar te bujqësia dhe turizmi, që janë sektorët aktualisht më të rëndësishëm në vendin tonë.

Pritshmëria e atyre që thonë se duhet të kishte një bazë më të thellë ideologjike, duhet ta dinë se është vijim i politikave që e kemi ndjekur prej 8 vitesh. Nevoja për zhvillim ekonomik, është një nevojë që i përcakton nevojat e një mandati”, tha Xhafaj.

Sa i takon emrave të qeverisë së re, Xhafaj tha se në mesin e dy krizave si tërmeti dhe pandemia, nuk mund të mendohej që të bëheshin ndryshime të mëdha te ministrat.

“Unë besoj që përtej gjinisë, kabineti ka në përbërje një grup profesionistësh. Treguan në mandatin e dytë, që nuk mund të kishte pritshmëri shumë të mëdha për eksperimente, rrjedhimisht do të kishte një vazhdimësi me ata persona që u morën me menaxhimin e krizave. Pandemia është këtu, rindërtimi duhet të përfundojë, shumica e ministrave nuk e kanë ndërprerë për asnjë moment punën për rimëkëmbjen ekonomike dhe sociale”, u shpreh më tej Xhafaj.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re