Skip to content

EU4Schools rindërton kopshtin dhe çerdhen “Bleta Punëtore” në Rubik

Programi EU4Schools, ndërhyrje edhe në Bashkinë Mirditë. Kopshti & çerdhja “Bleta Punëtore” në Rubik, i rindërtuar plotësisht falë EU4Schools. Përmes një publikimi në rrjet social, Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara – UNDP në Shqipëri bën me dije se edhe Bashkia Mirditë është një prej 11 bashkive përfituese të Programit “EU4Schools” – “BE për Shkollat”.

“Në Njësinë Administrative Rubik të kësaj bashkie, EU4Schools ka bërë të mundur rindërtimin e kopshtit & çerdhes “Bleta Punëtore” duke sjellë shpresë dhe standarde të larta nëpërmjet infrastrukturës moderne arsimore. Prej rreth 2 vitesh e gjysmë tashmë, ky objekt i rindërtuar mirëpret fëmijë të Rubikut dhe stafin mësimor në hapësira bashkëkohore me termoizolim, instalime elektrike dhe hidro-sanitare eficiente, sistem ngrohje-ftohje dhe të mbrojtjes nga zjarri, sistem kamera sigurie, me rampa për aksesin e personave me aftësi të kufizuara, ndriçim efikas të jashtëm etj.” – nënvizon UNDP në Shqipëria në publikimin e saj.

Programi “EU4Schools” financohet nga Bashkimi Evropian me 75 milion Euro dhe zbatohet nga UNDP në Shqipëri në bashkëpunim me qeverinë shqiptare. Deri tani në kontekstin e këtij projekti janë përfunduar 61 nga 63 objekte arsimore në 11 bashki të prekura nga tërmeti i 2019-tës, duke ndikuar në jetën e mbi 25,000 fëmijëve, nxënësve dhe mësuesve.