Epidemiologia Eugena Tomini foli këtë të mërkurë për “Vizion Plus” për mundësitë e një mbylljeje tjetër të vendit pas shifrave shqetësuese të ditëve të fundit.
Ajo deklaroi gjatë një interviste për edicionin e lajmeve se janë disa kritere që duhen parë për dy javët në vijim për të marrë më pas një vendim.
Ajo tha se tri vatrat më shqetësuese janë Tirana, Shkodra dhe Durrësi, ku Tomini pranoi se ende nuk është gjetur burimi i infeksionit.
Eugena Tomini bëri thirrje për qytetarët që të respektojnë maksimalisht masat sepse rrezikojnë edhe nga riinfektimi.
Më poshtë intervista e plotë:
Çfarë është kjo që po ndodh në ditët e fundit në Shqipëri?
Është një situatë e pritshme përkundrejt fazës së lehtësismit të masave. Sigurisht shtimi i kontakteve përkundrejt rasteve që janë me simptoma të lehta apo asimptomatikë, shtimi i kontakteve, shtimi i orëve të aktiviteteve gjatë ditës, janë personat më të predispozuar për të infektuar personat e tjerë.
Cilat janë aktualisht vatrat kryesore ku ju po bëni gjurmimin?
Tre qytetet kryesore janë Tirana, Durrësi dhe Shkdora ku mund të themi që ka një transmetim komunitar sepse nuk gjendet burimi i transmetimit. Për rrjedhojë ata bëhen burim trasmentimi tek personat e shëndoshë. Është duke u kryer hetimi i të gjitha vatrave, qofshin familjare, apo rasteve që në 24 orët e fundit kanë qenë nën hetimin epidemiologjik. Deri në fund do të marrim një informacion më të plotësuar. Por nuk po neglizhohet asnjë rast i dyshuar apo hetim i kontakteve të ngushta familjare.
A mund të jenë shifrat e larta të ditëve të fundit një lloj përligjeje për të riduskutuar apo për të riparë qëndrimin e qeverisë lidhur me gjendjen e fatkeqësisë natyrore që përfundon në 23 qershor?
Në 23 qershor përfundon kjo fazë. Strategjia e lehtësimit të masave bazohet në tre kriterë të rëndësishme, së pari trendi i rritur i rasteve të evidentuara, trendin jo më pak se 90 raste të hospitalizuar dhe jo më pak se 15 raste në terapi intensive. Monitorimi i këtyre tre kritereve në dy javët që përvijojnë do të sjellin edhe masat e përvijuara në vijim të lehtësimit të masave.
Jemi në muajin e katërt të pandemisë. Përveç përsëritjes së këshillave të higjienës, të distancimit, a ka diçka tjetër që duhet ta kenë parasysh njerëzit?
Në veçanti të gjithë personat që konfirmohen ju bëjmë thirrje të vetëizolohen, të qëndrojnë brenda ambienteve të shtëpisë dhe të mos dalin jashtë apo të kryejnë aktivitetet e tyre të përditshme sepse është rrezik edhe për shëndetin e tyre për mbiinfeksione sekondare. E gjithë popullata që është e paprekur, duhet të respektojë maksimalisht distancimin fizik dhe higjienën personale.
Po shkojmë drejt një lehtësimi që është paralajmëruar, hapja e transportit publik, hapja e linjave ajrore, hapja e kufijve. A mos këto shifra mund të na çojnë një hap mbrapa?
Tre kriteret e rëndësishëm të lehtësimit të masave janë duke u monitoruar dhe vlerësimi i tyre nëse do t’i kalojmë ato kufij të cilat unë i përmenda sigurisht që ka rikthim mbrapa. Por shpresojmë se me bashkëpunimin e popullatës, ndërgjegjësimin e vazhduar, të jemi të kujdesshëm dhe vigjilentë për të respektuar të gjitha masat për të parandaluar zinxhirin e transmetimit. Ndërkohë të gjitha protokollet higjieno-sanitare në të gjitha strukturat që ju përmendët, zbatimi i tyre kërkon një vëmendje, vlerësim dhe përgjegjësi nga të gjithë ne. Jemi ne të përgjegjshëm tani për të vazhduar luftën kundër COVID.
