Misioni i Bashkimit Evropian për Drejtësi (EULEX) ka njoftuar se gjatë patrullimeve në veri të Kosovës është shqetësuar nga “prania e personave të armatosur, shpesh individë dhe grupe të maskuar”.

Ata vlerësuan se situata e sigurisë është shqetësuese dhe e tensionuar.

“Gjatë patrullimeve tona në terren, jemi dëshmitarë të prezencës shqetësuese të njerëzve të armatosur, shpeshherë të personave dhe grupeve të maskuar, në veri të Kosovës. Kjo është e papranueshme. Jemi dëshmitarë të vendosjes së barrikadave shtesë, të cilat duhet të hiqen menjëherë. Ato janë të paligjshme dhe pengojnë lirinë e lëvizjes. Krahas këtyre shqetësimeve, shqetësues është edhe krimi në veri të Kosovës. Vakuumi i sigurisë i krijuar pas dorëheqjes së policëve serbëve të Kosovës mund të përdoret nga grupet kriminale. Është në dorë të agjencive të zbatimit të ligjit që ta parandalojnë këtë”, ka thënë EULEX për mediat e Prishtinës.

Ndryshe, në koordinim me KFOR-in, njësiti policor i themeluar i EULEX-it dhe njësia policore rezervë vazhdojnë patrullimet e tyre në terren në veri të Kosovës, duke përfshirë patrullimet në këmbë në veri të Mitrovicës dhe Zveçanit.

Në kuadër të mandatit dhe kapacitetit të tij, EULEX-i është përkrahës i masave të tilla parandaluese, por thotë se ato nuk mund ta zëvendësojnë policinë e Kosovës, që është përgjigja e parë e sigurisë.

“Tani është e rëndësishme që menjëherë të zbutet situata, të qetësohet dhe të përmbahet nga veprimet më provokuese. Kjo është para së gjithash për të mirën e popullatës vendase, mbrojtja dhe siguria e të cilëve është e kërcënuar për shkak të situatës aktuale”, thekson EULEX-i.

Shtohet se ky Mision dhe KFOR-i kanë detyra dhe mandate të ndryshme.

“Duke pasur parasysh situatën e paqëndrueshme të sigurisë në veri të Kosovës dhe vendosjen e barrikadave shtesë, Misioni rregullisht rregullon pozicionin e tij për të pasqyruar situatën në terren. Nëse kushtet lejojnë përdorimin e sigurt të rrugëve alternative, patrullat tona përpiqen të arrijnë në disa lokacione në veri të Kosovës, duke përfshirë edhe stacionet policore. Për shkak të kushteve të pafavorshme të motit dhe rrugëve, kjo nuk është gjithmonë e mundur”, njofton EULEX.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re