Pas pak ditësh, Edi Reja do të publikojë listën me futbollistët e grumbulluar për ndeshjet që kuqezinjtë kanë ndaj Francës dhe Islandës, ku me “gjelat” do të përballen në trasnfertë ndërkohë që “Vikingët” i presim në “Elbasan Arena”.

Nga këto dy ndeshje, varet shumë e ardhmja e Shqipërisë për ëndrrën europiane, duke qenë se mund t’i jepet fund kësaj ëndrre në rast të rezultateve negative.

Sikur të mos mjaftonte vështirësia që kanë në vetvete ndeshjet, Shqipëria duhet të bëjë edhe pa sulmin e saj. Në krahasim me listën që ishte për ndeshjet e muajit qershor, Edi Reja duhet të shqetësohet realisht për sulmin, pasi futbollistët kanë humbur vendin e tyre në formacion me skuadrat, e madje edhe në stërvitje janë të diferencuar.

Armando Sadiku, Sokol Cikalleshi, Eros Grezda, Myrto Uzuni, Xhakomo Vrioni, Bekim Balaj e Odise Roshi ishin sulmuesit e Shqipërisë në ndeshjet e fundit, ndërkohë që nga këto, vetëm Uzuni e Roshi që kanë luajtur, ndërkohë që Balaj tashmë ka nisur të aktivizohet me skuadrën e tij të Sturm Graz. Armando Sadiku ka probleme me klubin dhe me shumë gjasa nuk pritet të ketë minuta deri në merkaton e ardhshme nëse nuk largohet këtë verë. Në të njëjtat kushte ndodhet edhe Grezda që nuk llogaritet në planet e Rejnxhërs.

Në javët e para të kampionatit, as Cikalleshi nuk po aktivizohet në Turqi, ndërkohë që Vrioni që në kohët e fundit ka qenë pjesë e Kombëtares A, ka ndërruar ekip dhe ende nuk duket se po gjen hapësirat e nevojshme te skuadra e re.

Në fakt, pritej që në këto ndeshje të kishte edhe risi, megjithatë diçka e tillë nuk duket se do të ndodhë. Endri Çekiçi, Taulant Seferi, Sindrit Guri apo edhe Elis Bakaj në Bjellorusi që po shënon rregullisht, mund të ishin alternativa për këto ndeshje, megjithatë “VipSport.al” ka mësuar nga burime pranë FSHF se në drejtim të tyre, nuk është dërguar asnjë ftesë nga Kombëtarja. Deri në ndeshjet e shtatorit, mbetet të shihet se si do ta zgjidhë Reja dhe stafi i tij problemin me sulmin.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re