Kanë mbetur ende edhe dy ndeshje të fundit në rrugëtimin e Kombëtares shqiptare drejt finaleve të Kampionatit Europian ‘Gjermani 2024’, ndaj Moldavisë më 17 nëntor e Ishujve Faroe më 20 nëntor. Dy ndeshje shumë të rëndësishme, por mbi të gjitha, vendimtare për një vend në finalet e Europianit 2024. Pasi zbardhi listën me 24 lojtarët e grumbulluar për këto dy takime, trajneri Silvinjo doli sot në konferencën zyrtare për media, në ambientet e ‘Shtëpisë së Futbollit’. Tekniku brazilian nënvizoi se këto dy finale janë vendimtare për Shqipërinë dhe se ashtu sikurse edhe në ndeshjet e kaluara, të gjithë lojtarët duhet të jenë sa më të vëmendshëm për të marrë maksimumin.

Fokusi i skuadrës është fillimisht te ndeshja me Moldavinë, e më pas te takimi i 20 nëntorit ndaj Ishujve Faroe theksoi trajneri Silvinjo, i cili i vlerësoi maksimalisht dy kundërsharët. Nga mungesa e Brojës e Çunit, dëmtimi i Bajramit dhe ftesa për herë të parë e Arbnor Muçollit, mundësitë për të zënë vendin e parë në grup e çelësi i suksesit, trajneri brazilian zbuloi gjithçka për gazetarët në konferencën zyrtare për media. Mungojnë vetëm dy finale për të realizuar ëndrrën e bukur që Shqipëria po jeton prej 10 muajsh nënvizoi ndër të tjera trajneri Silvinjo.

Lista, grumbullimi i Muçollit dhe jo Çuni, përse kjo zgjedhje? – Kemi dy finale shumë të rëndësishme. Në të gjithë këtë fushatë kualifikuese, kemi grumbulluar në total 40 lojtarë, po t’i marrim nga ndeshja e parë e deri më tani. Ndërkohë që për dy ndeshjet e fundit, ne kemi ftuar 24 lojtarë dhe nga këto është Muçolli, i cili vjen për herë të parë. Enea Mihaj është i dëmtuar dhe për këtë arsye ai nuk mund të ishte i gatshëm për këto ndeshje, por në mbrojtje ne kemi lojtarë për të mbuluar mungesën e tij dhe nuk është problem. Përsa i përket sulmit dhe pyetjes në lidhje me Marvin Çunin. Në sulm ne kemi dy lojtarë Çikalleshi dhe Daku, ndërkohë që ne gjithashtu kemi edhe dy lojtarë të tjerë të cilët luajnë shumë mirë si anësorë, por mund të luajnë edhe si “pykë” siç janë Uzuni dhe Seferi që mund të jenë të gatshëm në çdo rast edhe për atë rol. Përsa i përket Marvin Çunit është një lojtar që ne e grumbulluam me Bullgarinë. E pamë dhe është një lojtar shumë i mirë, por që ka të njëjtin rol me Çikalleshin dhe Dakun. Në këtë rast ne kemi nevojë për një sulmues anësor sepse në sulm jemi të mbipopulluar dhe na duhej një lojtarë anësor, prandaj kemi thirrur Muçollin. Kemi dy ndeshje vendimtare që mund të vendosin të ardhmen tonë, pasi mund të shkojmë në Europian. Kemi marrë Muçollin pasi është një lojtarë shumë teknik, ndoshta jo shumë i shpejtë në tranzicion, por është teknik dhe i duhuri për ne në këto dy sfida. Në skuadrën e tij ai luan si anësor i djathtë, por mund të luajë edhe në krahun e majtë. Është një lojtar me një bagazh shumë të mirë taktik dhe që ishte i nevojshëm për këto dy ndeshje. Luajmë ndaj dy rivalëve që janë shumë të fortë në mbrojtje si Moldavia dhe Ishujt Faroe. Po përgatitemi shumë mirë që të luajmë ndaj një kundërshtari që nuk ka pësuar asnjë  humbje në shtëpi që është Moldavia.

I druheni faktit se diçka nuk mund të shkojë si duhet? – Jemi në një situatë në grup që janë katër  skuadra në lojë për t’u kualifikuar. Duhet të luajmë fort dhe t’i përgatisim sa më mirë këto ndeshje. Nuk mund të them që kam frikë, por sigurisht që jam i prokupuar për këto dy ndeshje sepse janë dy finale shumë të rëndësishme dhe ju e dini që futbolli është i vështirë. Do t’i përgatisim sa më mirë këto dy ndeshje, por ne jemi të fokusuar vetëm te ndeshja me Moldavinë. Lojtarët janë të karikuar dhe për momentin kemi vetëm një mungesë i cili është Mihaj që nuk ia doli dot për shkak dëmtimi dhe të tjerët janë të gjithë gati dhe janë të ndërgjegjshëm që duhet të përgatitemi sa më mirë dhe të kemi impenjimin e duhur në këto sfida finale. Futbolli luhet në fushë për 90 minuta dhe mund të ndodhë gjithçka, por ne jemi të përgatitur për çdo situtatë.

Duhet të jemi pragmatist për të arritur kualifikimin? – Moldavia është ende në garë dhe ne na pret një ndeshje shumë e vështirë, por mendoj që ne nuk duhet të ndryshojmë. Është e drejtë që tani në këto momenti të bëjmë llogaritë tona, por në futboll është gjithmonë e vështirë të bësh llogari. Po të bëjmë llogaritë matematikisht na duhet vetëm një pikë, por nuk mund të shkojmë në një ndeshje futbolli dhe të hyjmë në fushë me idenë që duhet të marrim 1 pikë. Duhet të marrim maksimumin në një ndeshje shumë të vështirë dhe duhet të luajmë gjithmonë ashtu siç kemi bërë gjatë këtyre dy ndeshjeve. Do të jemi të organizuar në fushë, do të vendosim zemrën dhe shpirtin dhe do të luajmë ndeshjen tonë ashtu siç kemi bërë në të gjitha sfidat e kaluara.

Strategjia për të mposhtur Moldavinë – Është e drejtë të thuhet që kjo është ndeshja e parë dhe më vendimtare për ne në këtë grup, por nuk mendoj që do të kemi një skemë ndryshe. Mendojmë për Moldavinë, që merr një rëndësi shumë të madhe sepse është ndeshja ku mund të vendoset kualifikimi. Moldavia nuk ka pësuar asnjë humbje në shtëpi, ka marrë pikë ndaj Polonisë. Është shumë mirë e organizuar, sidomos në kundërsulm. Është një skuadër e rrezikshme, ka lojtarë shumë cilësorë dhe është ekip ‘i gjatë’, bëhet i rrezikshëm në lojën në ajër. Por, ne do të fokusohemi tek ekipi jonë. Duhet ta përgatisim sa më mirë ndeshjen dhe të jemi të vëmendshëm. Të bëjmë lojën tonë, siç kemi bërë gjatë gjithë këtyre sfidave. Kemi lojtarë teknikë. Strategjia do të jetë e njëjta. Ndeshjet luhen në fushë përgjatë 90 minutave dhe aty mund të ndodhë gjithçka.

Mungesa e Armando Brojës – Duhet të respeketojmë së pari shëndetin e lojtarit. Kjo është parësore. Është një lojtar me potencial të shkëlqyer, por është një situatë ndryshe nga Mihaj. Ne monitorojmë rreth 56 lojtarë, por Broja që nga 12 tetori kur u rikthye te Chelsea, pas Kombëtares, nuk ka luajtur asnjë ndeshje. Sot bëhen saktësisht 11 muaj nga dëmtimi i tij dhe në të tilla situata, lojtari ka nevojë për kohë. Ka bërë disa minuta përpara se të grumbullohej me Kombëtaren dhe më pas nuk ka luajtur më. Ndërsa Mihaj ka pësuar një dëmtim me skuadrën e tij. Në fillim nuk u duk i vështirë, por pas konsultave me mjekët, rezultoi që ai duhet të qëndrojë rreth 3-4 javë jashtë fushave të lojës. Situatë ndryshe nga Broja, për të cilin kemi thënë gjithmonë që ka nevojë për kohën e duhur për t’u rikthyer në fushë, pas një dëmtimi kaq të gjatë.

Lojtarët nga kampionati shqiptar dhe a do të ketë ndryshime në listë – Nuk ka rëndësi nëse lojtari luan në Shqipëri, Kore, apo diku tjetër. Për ne është shumë e rëndësishme cilësia që ka futbollisti. Nuk shohim se nga vjen. Stafi teknik monitoron aktualisht rreth 56 lojtarë dhe fakti se ku luan, nuk ka aspak rëndësi për ne, apo peshë në vendimmarrje. Ka të bëjë me cilësinë e lojtarit. Pas ndeshjes me Moldavinë, ne kemi 3 ditë kohë dhe nëse do të kemi ndonjë ndryshim, kemi kohën e duhur për të thirrur ndonjë lojtar. Mund edhe të bazohemi te lista e pritjes që ne kemi dhe mund të jetë nga kampionati shqiptar apo nga jashtë.

A synon Shqipëria vendin e parë në grup? – Nuk janë ndeshje të lehta këto përpara. Që kur kemi folur në fillim në lidhje me këtë fushatë kualifikuese, kemi thënë që objektivi ynë ishte që të vinim në muajin nëntor në kushtet për të qenë në garë për kualifikim. Dhe jemi në kushtet për t’u kualifikuar, kemi gjithçka në dorë. Jam shumë i kënaqur nga skuadra, nga tifozët, nga ambienti, për mbështetjen që na kanë dhënë. Objektivi ynë është që të kualifikohemi. Fokusi është i gjithi aty. Jemi duke jetuar një ëndërr. Shqipëria po jeton një ëndërr prej 10 muajsh, është shumë e bukur. Por na mungon një pjesë shumë e rëndësishme për ta realizuar këtë ëndërr. Nuk luajmë kundër dy rivalëve më të lehtë të grupit, Moldavia është gjithashtu në garë për t’u kualifikuar. Edhe Ishujt Faroe. Në ndeshjet ndaj Polonisë e Çekisë, deri në minutën e 70-të, rezultati ka qenë 0-0 dhe pastaj kanë qenë dy fitore jo të lehta nga ana e kundërshtarve. Fokusi ynë është fillimisht Moldavia, që është në garë për t’u kualifikuar dhe më pas Ishujt Faroe.

E ardhmja ? – Aktualisht jam i fokusuar vetëm te Shqipëria, po jetoj një moment shumë të bukur dhe na mungon vetëm një hap final për të arritur një ëndërr të madhe. Mendoj vetëm për ndeshjen dhe asgjë tjetër. Duhet të bëjmë një sforco të fundit të gjithë bashkë, për të shkuar në Europian dhe për të jetuar këtë moment kaq të bukur për vendin, për tifozët dhe të gjithë. Jeta e një trajneri nuk është e lehtë, sigurisht që e ardhmja është aty por nuk mendoj asgjë pasi jam i kënaqur te Shqipëria dhe suportin që na ka dhënë Federata Shqiptare e Futbollit. Mendoj vetëm për ndeshjen dhe për asgjë tjetër. Hera e parë kur erdha këtu, për katër javë me radhë m’u desh kohë vetëm që të ambientohesha. Kam vizituar lojtarë dhe kam punuar shumë për të kuptuar njerëzit dhe lojtarët. Për momentin mendoj vetëm për sfidën që kemi përpara dhe asgjë tjetër.

Çelësi i suksesit në këto kualifikuese ? – Kemi ardhur deri këtu sepse lojtarët i kuptuan shumë mirë idetë tona. E kuptuan që përfaqësojnë një vend të tërë. Nuk mund të themi që ka vetëm një çelës suksesi janë shumë, por çelësi kryesor është kur t’i punon dhe lojtarët krijojnë besimin e duhur. Jo vetëm lojtarët, por stafi dhe gjithë njerëzit që na rrethojnë krijojnë besimin e duhur te skuadra. E nisëm me një transfertë të vështirë me Poloninë, ne humbë. Por, lojtarët për fat të mirë i kuptuan menjëherë idetë tona dhe duhet të them që ajo që kemi bërë deri tani është meritë e të gjithëve por veçanërisht e lojtarëve që kanë besuar që në fillim, kanë besuar te ne, kanë besuar te forcat e tyre dhe kanë dhënë në fushën e lojës zemrën dhe shpirtin sepse futbolli nuk është vetëm sport, por është diçka më shumë sepse në rastin konkret ne përfaqësojmë një komb të tërë.

Gjendja e Bajramit? – Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar përsa i përket Bajramit. Ai do të vijë sipas programit dhe do të bashkohet me ne. Është e vërtetë që ai ishte në stol dhe nuk luajti në ndeshjen e fundit , por edhe herën e fundit që kishim grumbullimin me Kombëtaren ai nuk luajti në sfidën e fundit me ekipin e tij para pushimit ndërkombëtar. Ne kemi folur me të, është mirë dhe nuk ka asnjë problem fizik. Ndonjëherë janë zgjedhjet e trajnerit që të qëndroj në stol apo të luajë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re