Euro, rënie pikiatë gjatë 2021/ Monedha arriti nivelin më të ulët në dhjetor

drr.jpg

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Viti 2021 u karakterizua nga një rënie e ndjeshme e euros në kursin e këmbimit valutor. Monedha europiane e nisi vitin e shkuar në nivelin e 123.7 lekëve, që është edhe më i larti i shënuar për 2021.

 

Grafiku i euros pati luhatje të vogla deri prill, kur arriti nivelin e 122.9 lekëve. Pothuajse të njëjtat nivele e shoqëruan monedhën e huaj deri në muajt e verës, një periudhë kur tradicionalisht valutat zhvlerësohen për shkak të prurjeve sezonale nga emigrantët dhe turistët.

 

Në datën 11 gusht, monedha e përbashkët zbriti deri në 121.2 lekë, duke shënuar kështu nivelin më të ulët për muajt e verës.

 

Në fund të tetorit dhe fillim të nëntorit, euro iu afrua sërish nivelit të 123 lekëve, e ndikuar sipas ekspertëve nga kërkesa e lartë për valutë e kompanive shtetërore energjetike për blerje energjie nga importi apo edhe nga informaliteti.

 

Por muaji i fundit i 2021 e gjeti euron në nivele më të ulëta sesa vitet e shkuara. Rënia e monedhës europiane nisin që para nisjes së efekteve sezonale, duke zbritur më pas në 28 dhjetor në 120.36 lekë. Ky është edhe niveli më i ulët që nga dhjetori 2007, kur euro zbriti për një ditë në nivelin më të ulët ditor të të gjitha kohërave, prej 120.18 lekë.

 

Ekspertët e tregut valutor shpjegojnë se kur euro bie, importet bëhen më të lira, pasi një pjesë e madhe e importeve janë në këtë valutë. Rënia e monedhës së huaj është lajm i mirë edhe për kredimarrësit, por nënçmimi i saj përkthehet në një goditje të fortë për biznesin fason.

 

 

 

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë