Skip to content

Euro u bë ‘burrë’, sot i mbushi 20 vjet, ja historiku i euros!

Sot
më 1 janar 2019, monedha europiane euro, ka mbushur 20 vjet, duke i mbijetuar
dy dekadave të trazuara dhe duke u bërë monedha nr. 2 në botë, shkruan Kosova
Post.

Pas 20 vjetësh, euro-ja është
bërë një instrument i fuqishëm në tregjet financiare, edhe pse mbetet prapa
dollarit, i cili dominon tregun botëror.

Euro-ja ka përballuar disa sfida të mëdha, duke përfshirë
vështirësitë e fillimit, krizën financiare të vitit 2008 dhe një krizë borxhi
të eurozonës që kulmoi me paketa shpëtimi për disa vende.

Këto kriza vunë në provë
unitetin e Eurozonës, 19 vendet e Bashkimit Evropian që përdorin euron. Ndërsa
disa analistë thonë se trazirat dhe elasticiteti i euros e kanë forcuar
monedhën dhe e kanë bërë atë më pak të ndjeshme ndaj problemeve të ardhshme,
vëzhgues të tjerë thonë se euro-ja do të mbetet e brishtë nëse nuk ka më shumë
integrim në Eurozonë.

Euro-ja lindi më 1 janar
1999. Fillimisht ajo ekzistonte vetëm si një monedhë virtuale për transaksionet
financiare. Evropianët filluan të përdorin monedhën në kuletat e tyre tre vjet
më vonë kur dolën në qarkullim kartmonedhat dhe monedhat e para.

Telegrafi shkruan se në atë
kohë, vetëm 11 shtete anëtare përdornin monedhën dhe duhej të kualifikoheshin
për disa parametra, si borxhi, deficiti dhe inflacioni. Përpara krijimit të
euros, vendeve anëtare BE-së, Britanisë dhe Danimarkës, iu dha alternativa për
të mos e përdorur monedhën e përbashkët.

Euro-ja përdoret tani nga mbi
340 milionë njerëz në 19 vende të Bashkimit Evropian, të cilat janë: Austria,
Belgjika, Qiproja, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Greqia, Irlanda,
Italia, Letonia, Lituania, Portugalia, Sllovakia, Sllovenia dhe Spanja.

Anëtarëve tjerë të BE-së u
kërkohet të bashkohen me eurozonën kur të plotësojnë kërkesat monetare për
përdorimin e monedhës.

Sot, euroja është më popullore se kurrë ndonjëherë gjatë dy dekadave të fundit,
pavarësisht rritjes së lëvizjeve populiste në disa vende evropiane që shprehin
skepticizëm ndaj Bashkimit Evropian.

Në një studim të Bankës
Qendrore Evropiane, 64 për qind e të anketuarve në të gjithë eurozonën thanë se
euro-ja është diçka pozitive për vendin e tyre. Gati tre të katërtat e të
anketuarve thanë se mendonin se euro ishte e mirë për Evropën.

Në vetëm dy vende – Lituani
dhe Qipro, shumica e njerëzve mendojnë se euroja është e keqe për ta.

Kjo përbën një kontrast të
madh me vitin 2010, kur Greqia dhe Irlanda morën paketa ndërkombëtare shpëtimi.
Në atë kohë, vetëm 51 për qind e të anketuarve mendonin se euroja ishte e mirë
për vendin e tyre.

Euro-ja u përball me sfida
qysh në fillimet e saj me parashikimet se Banka Qendrore Evropiane ishte shumë
e ngurtë në politikën e saj dhe se monedha shpejt do të dështonte. Euro-ja nuk
u pëlqye menjëherë në shtëpitë dhe bizneset evropiane. Shumë njerëz e
perceptonin hyrjen e saj në qarkullim si një rritje çmimesh për mallrat e
përbashkëta.

Më pak se dy vjet pas hyrjes
në qarkullim, kur një euro shkëmbehej me 1.1747 dollarë, monedha kishte humbur
30 për qind të vlerës. Banka Qendrore Evropiane ndërhyri me sukses për të
ndalur zhvlerësimin e mëtejshëm të euros.

Sfida më e madhe për bllokun
ishte kriza financiare e vitit 2008-s, e cila më pas nxiti një krizë borxhi të
Eurozonës që kulmoi me paketa shpëtimi për disa vende.

Dhjetëra miliarda euro iu
huazuan Greqisë, Irlandës, Portugalisë, Qipros dhe Spanjës, ose për të shpëtuar
bankat e tyre ose për shkak se investitorët nuk donin të hidhnin para në ato
vende.

Këto zhvillime nxorën
gjithashtu në pah pabarazinë ekonomike midis shteteve anëtare, veçanërisht
midis veriut më të pasur dhe vendeve jugore të ngarkuara me borxhe.

Vendet më të dobëta përjetuan
si avantazhe ashtu edhe disavantazhe nga hyrja në eurozonë.

Vendet më të dobëta përfituan
menjëherë, duke kursyer triliona euro për shkak të uljes së kostos së
huamarrjes të monedhës së re.

Megjithatë, gjatë periudhave
të rënies ekonomike, ata kishin më pak alternativa për të vepruar.

Zakonisht, në një krizë
financiare, monedha e një vendi bie në vlerë, duke i bërë mallrat e saj më
konkurruese dhe duke lejuar ekonominë të stabilizohet. Por në eurozonë, monedha
në vendet e varfra nuk mund të zhvlerësohet, sepse ekonomitë më të forta si
Gjermania e mbajnë atë të lartë.

Ekspertët thonë se periudhat
e krizës së borxheve nxorën në pah disa nga gabimet e projektit të euros.

Megjithatë, euro-ja i
mbijetoi krizës financiare nëpërmjet një kombinimi masash të Bankës Qendrore.

Sipas Telegrafit, kreut të
Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi i njihet merita e shpëtimit të euros në
vitin 2012, kur tha se banka do të bënte “gjithçka që duhej” për ta mbrojtur
monedhën, shkruan Telegrafi.

Disa ekspertë thonë se
fleksibiliteti i bankës dëshmon se ajo është në gjendje të përballojë sfidat
financiare.

Por sipas disa vëzhguesve të
tjerë, 19 vendet e monedhës së përbashkët nuk kanë bërë mjaft për të kryer
reforma politike të nevojshme në mënyrë që vendet e ndryshme të bashkëpunojnë
më mirë për politikën fiskale dhe që të jenë më të përgatitur për krizat e
ardhshme.

Propozimet për një koordinim
më të madh, duke përfshirë një union bankar dhe një buxhet të Eurozonës, janë
ende në fazat e planifikimit.