Skip to content

Europa aprovon dhe vaksinën e Moderna-s

Vaksina nga prodhuesi amerikan Moderna mori dritën jeshile nga rregullatori Evropian të mërkurën, duke u bërë kështu e dyta vaksinë e miratuar në Bashkimin Evropian.

Ndërsa Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) ka dhënë dritën jeshile, ajo ende duhet të miratohet nga Komisioni Evropian dhe ky hap i fundit pritet shumë shpejt në mënyrë që të fillojë dhe të përshpejtohet vaksinimi i popullatës evropiane, raporton Reuters.

Komiteti i EMA për Produktet Medicinale për Përdorim Njerëzor (CHMP), e dha “Ok” në një takim të mërkurën, pasi një takim i hershëm i jashtëzakonshëm të hënën përfundoi pa një vendim.

Më 21 dhjetor, agjencia rekomandoi vaksinën kundër COVID-19 të prodhuar nga Pfizer dhe partneri i saj gjerman BioNTech.

Që kur filloi vaksinimi në Bashkimin Evropian shtatë ditë më parë, qindra mijëra evropianë kanë marrë vaksinën Pfizer / BioNTech.

Më shumë se një milion doza u shpërndanë në MB në vetëm një muaj, ndërsa autoritetet shëndetësore në Gjermani dhe Francë ishin shënjestra e kritikave për fillimin e fushatës shumë ngadalë.

Hollanda filloi vaksinimin të mërkurën, ku personi i parë që mori vaksinën ishte një infermiere 39-vjeçare në një shtëpi pleqsh.