Ndalimqarkullimi në Paris dhe 8 qytete nga ora 21:00 deri në 6:00. Holanda dhe Anglia mbyllen sërish, Gjermania raporton rekord infektimesh

Francezët në 4 deri 6 javët e ardhshme do duhet të qëndrojnë brenda shtëpive të tyre nga ora 21:00 deri në orën 6 të mëngjesit në Paris dhe në tetë qytete të tjera, për të frenuar përhapjen e Covid-19.

Presidenti Emmanuel Macron njoftoi se nga dita e shtunë për deri 6 javët e ardhshme, qytetarët e Parisit, Marsejës, Tuluzës, Lionit dhe 5 qyteteve të tjera do u ndalohet qarkullimi në rrugë nga ora 21:00 deri në 06:00.

Për ata që shkelin urdhrin, gjobat do nisin nga 135 euro, ndërsa për përsëritësit është 1.500 euro. Sipas Macron, vendi e ka humbur kontrollin e virusit që deri tani ka vrarë rreth 29 mijë qytetarë.

Me masat e fundit synohet të shmanget izolimi i plotë dhe të ulet numri i të infektuarve përditë, nga 20 mijë mesatarisht në 3 apo 4 mijë, për ta bërë situatën më të menaxhueshme.

Për bizneset më të prekura nga masat, si bar-restorantet, teatrot apo kinematë që presin klientelë edhe pas orës 20:00, qeveria pritet t’i kompensojë pjesërisht humbjet, por është pranuar se ekonomia franceze do të pësojë goditje të fortë nga ora policore.

Familjet më të varfra do të ndihmohen me 150 euro dhe 100 euro shtesë për fëmijë.

Por Franca nuk është i vetmi vend europian që përballet me një shpërthim të dytë epidemik.

Fqinji i saj, Gjermania, raportoi të enjten mbi 6,600 bartës të rinj të Covid-19 duke thyer rekordin e pranverës dhe tashmë po përgatitet për rimbylljen e jetës publike para mesnatës.

Rregulla të ngjashme aplikon nga sot Holanda nga ora 22:00, orar që është huazuar edhe në Angli ku ka hyrë në fuqi sistemi i klasifikimit me tri shkallë.

Në zonat me rrezik mesatar nga pandemia, lejohen takimet me jo më shumë se 6 persona; në zonat më të rrezikuara nuk lejohen vizitat në shtëpi; ndërsa në zonat shumë të rrezikuara rekomandohet për më tepër mbyllja e bareve dhe pabeve që nuk shërbejnë gatime.

Në rajonin spanjoll të Katalonjës, autoritetet kanë vendosur të mbyllin të gjitha bar-restorantet për 15 ditë.

Tri javë do qëndrojnë mbyllur shkollat, qytetet studentore dhe lokalet në Republikën Çeke, ndërsa në Italinë fqinje, kryeministri Giuseppe Conte nuk e ka përjashtuar mundësinë që italianët t’i kalojë Krishtlindjet e sivjetme nën regjimin e karantinës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re