Agjencia e Bashkimit Evropian për Bashkëpunim në Zbatimin e Ligjit (Europol) njoftoi se 382 persona u ndaluan në operacionet e ndërmarra më 26-29 tetor kundër organizatave kriminale që operojnë në vendet e Ballkanit dhe Evropën Lindore.

Në një deklaratë me shkrim nga Europoli thuhet se në operacionet e kryera me mbështetjen e Eurojust, Frontex dhe INTERPOL si dhe forcave të sigurisë së 28 vendeve anëtare të BE-së kanë marrë pjesë 16 mijë punonjës të personelit.

Më tej bëhet e ditur se 159 nga 382 personat e kapur janë ndaluar për kontrabandë emigrantësh, 112 prej tyre për trafik droge, 38 për kontrabandë armësh, 2 për trafikim të qenieve njerëzore dhe 71 për krime të tjera.

Në kuadër të operacioneve u kontrolluan 32.665 automjete dhe 998 ambiente, u kryen kontrolle identifikimi të 75 mijë personave si dhe u konfiskuan rreth 2 tonë lëndë narkotike, 5.402 bimë kanabis dhe shumë armë zjarri.

Europol vuri në dukje se si rezultat i operacioneve në fjalë janë ngritur 130 hetime të reja.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re