Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale, Drejtues i Lartë Neritan Nallbati, mirëpriti në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit një delegacion nga Departamenti/Qendra për Krimin e Organizuar dhe Krimet e Rënda në EUROPOL (SOCC), i kryesuar nga z. Jean Yves Goriou, Drejtues i Njësisë kundër Krimit të Organizuar, i shoqëruar nga z. Roberto Garbini, zëvendësdrejtues i Ekipit për Organizatat Kriminale me Rrezikshmëri të Lartë në Njësinë e Krimit të Organizuar.

Fokusi i këtij takimi ishte forcimi i bashkëpunimit operacional dhe strategjik midis Policisë së Shtetit dhe EUROPOL-it, në luftën kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda.

Diskutimet gjatë takimit u përqendruan në prioritetet e përbashkëta, si dhe në implementimin e strategjisë së re të Policisë shqiptare kundër krimit të organizuar, zhvillimin e hetimeve proaktive të bazuara në inteligjencë dhe shkëmbimin e informacionit me EUROPOL-in dhe me shtetet anëtare të BE-së, hartëzimin dhe goditjen e organizatave kriminale të profilit të lartë me lidhje ndërkombëtare, përfshirjen e strukturave në prioritetet dhe planet operacionale të EMPACT 2026–2027, si dhe forcimin e bashkëpunimit në luftën kundër krimit mjedisor, trafikimit të lëndëve narkotike, trafikimit të qenieve njerëzore dhe lëvizjes së kundërligjshme të emigrantëve.

Gjithashtu, gjatë takimit u trajtuan koordinimi i hetimeve paralele, zhvillimi i hetimeve pasurore, si dhe mbështetja teknike dhe operacionale që do të vijojë të jepet nga EUROPOL-i për procedime konkrete që janë në ndjekje.

Në fund të takimit, Drejtor Nallbati, në emër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Ilir Proda siguroi delegacionin e Europol se Policia e Shtetit është e vendosur për të vënë në funksion të prioriteteve operacionale të përbashkëta ekspertizën dhe kapacitetet e saj policore, në çdo ndërmarrje rajonale, evropiane dhe më gjerë, kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re