Europol ka zhvilluar një operacion masiv në 27 shtete, përfshirë SHBA dhe Brazilin kundër shitjeve online të mallrave të falsifikuara dhe piraterisë. Operacioni u zhvillua në koordinim me Eurojust dhe INTERPOL duke bërë të mundur mbylljen e 12.500 faqeve online dhe shkëputjen e 32 serverave. Gjithashtu janë mbyllur 15 dyqane online që shesin produkte të falsifikuara, si dhe janë sekuestruar 127 365 produkte si rroba, ora, këpucë, parfume, pajisje elektronike, të cilat arrinin një vlerë rreth 4 milionë euro.

 

 

Sipas Europol janë lëshuar gjithashtu 10 urdhra kontrolli dhe 14 persona janë ndaluar. Agjencia ndërkombëtare thekson se nga hetimi del se i dyshuari kryesor fitonte deri në 150 mijë euro në muaj dhe bënte një jetë luksoze. Rrjeti kriminal iu përkushtua marketingut në shkallë të gjerë dhe shpërndarjes së përmbajtjes audio-vizuale pirate në internet.

 

 

Si pjesë e operacionit, policia spanjolle shkëputi 32 serverë me përmbajtjen të paligjshme dhe sekuestroi para, dokumente dhe dy automjete luksoze. Ndërsa policia bullgare sekuestroi 600 artikuj të falsifikuar me vlerë 35 000 euro.

 

 

Europol thekson se po punon me shumë shtete partnere jashtë BE-së për të shkatërruar grupe të tilla.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re