Bandat shqipfolëse dhe ato të Ballkanit Perëndimor janë bërë veçanërisht të spikatura në blerjen e sasive të mëdha të kokainës në Amerikën Latine, thuhet se raportin e fundit të Europol, bashkë me Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Krim dhe Drogë.

Raporti nënvizon se grupet shqiptare operojnë në mënyrë autonome për porositjen e drogës dhe kanë lidhje të drejtpërdrejta me prodhuesit.

“Duke filluar nga viti 2012, grupet shqipfolës kanë ndikim në portet kryesore si në Amerikën e Jugut  si dhe në Evropë (fillimisht në Belgjikë dhe Holandë dhe më pas në Gjermani dhe Spanjë), dhe gjithashtu janë të angazhuar në shpërndarje në Gjermani, Suedi, Mbretërinë e Bashkuar dhe madje edhe Australi”, thuhet në raport.

Sipas Europol, bandat kriminale përdorin qytetet dhe portet si Roterdam, Hamburg e Antwerp (Belgjikë),Valencia dhe Algeciras (Spanjë) për pritjen e sasive të kokainës.

Sipas këtij raporti nga 2018 deri në 2020 janë arrestuar 266 persona me kombësi shqiptare për trafik të kokainës. Më pas, renditen shtetasit brazilianë, kolumbianë apo nigerianë.

“Që nga viti 2010, Italia, Gjermania dhe Belgjika i kanë identifikuar shqiptarët në mesin e dhjetë kombësive të para në kontakt zyrtar me policinë për kokainë”, thuhet në raport.

Përveç bandave shqiptare përmenden edhe bandat marokene dhe grupi i Ndranghetës në Itali për trafik të kokainës.

Pas kanabisit, kokaina tani është droga e dytë më e popullarizuar në Evropën Perëndimore dhe Qendrore.

Vlerësimet e fundit sugjerojnë se vitin e kaluar kanë qenë rreth 4.4 milionë përdorues të saj.

Gati 40% e grupeve kriminale aktive në Evropë janë të përfshira në trafikun e drogës dhe tregtia e kokainës gjeneron fitime kriminale prej miliarda eurosh.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re