Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ka bërë një njoftim në rrjetin social Facebook, nga ku bën me dije se pesë shqiptarët që u evakuuan dje nga Izraeli, mbërritën në orët e para të mëngjesit sot në Athinë.

Hasani thotë se tre prej tyre kanë mbërritur në Tiranë, njëri pritet të kthehet sonte, ndërsa personi i pestë do të qëndrojë në Greqi pasi është rezident në shtetin fqinj.

Ditën e djeshme ministri Hasani njoftoi  evakuimin e  pesë qytetarëve shqiptarë nga Izraeli.

“Largimi dhe kthimi i tyre u mundësua nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, nëpërmjet ambasadave në Tel Aviv dhe Kajro.

Falënderojmë autoritetet izraelite, Ambasadën Greke dhe Ambasadën Bullgare në Tel Aviv, autoritetet egjiptiane, si dhe Konsullin e Përgjithshëm të Shqipërisë në Liban për mbështetjen dhe bashkëpunimin e dhënë”, njoftoi Igli Hasani.

 Në qëndrimin e tij ndaj konfliktit Izrael-Iran, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme është shprehur se Shqipëria mbështet të drejtën e Izraelit për të mbrojtur qytetarët e saj nga kërcënimet, ndërsa i bëri thirrje Iranit të ndalë aktivitetin e tij bërthamore.

Shqipëria iu bën thirrje palëve që të ulin tensionet dhe për zgjidhje të qëndrueshme politike, theksoi ministri Hasani gjatë fjalës që mbajti ditën e djeshme në Ministerialin e Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP).

“Shqipëria rikonfirmon të drejtën e Izraelit për të mbrojtur qytetarët e vetë nga kërcënimet. Në të njëjtën kohë, i bëjmë thirrje Iranit që të ndalë aktivitetet bërthamore dhe të veprojë në përputhje me detyrimet e veta në kuadër të së drejtës ndërkombëtare. Zhvillimi i armëve bërthamore do kishte pasoja katastrofike në rajon e përtej. Shqipëria iu bën thirrje palëve që të ulin tensionet dhe për zgjidhje të qëndrueshme politike”, u shpreh ministri Hasani.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko