Kandidati i koalicionit Bashkë Fitojmë për Bashkinë e Fierit Evdar Kodheli ka vijuar me fushatën elektorale në kuadër të zgjedhjeve vendore të 14 majit.

 

Në një intervistë për Vizion Plus, Kodheli tha se ka një program të përgatitur nga një staf specialistësh, të cilat do të jenë në shërbim të shtresave në nevojë.

 

Uji i pijshëm falas dhe transporti publik ishin dy nga çështjet kryesore ku kandidati i Bashkë Fitojmë e vendosi theksin.

 

“Unë nuk do e quaj bastion të socialistëve, por Fierin do e quaj si bashki të qytetarëve.  Kam një program e një staf specialistë.

 

Shtylla kryesore janë transporti falas për shtresat në nevojë, familjet me përkrahje sociale, nxënësit dhe pensionistët. Nxënësit në Fier janë lënë pa transport dhe në kushtet e këqija atmosferike e kanë të pamundur lëvizjen.

 

Do ofrojmë ujin e pijshëm falas. Sot nuk ofrohet as kanalizimi i ujrave të zeza. Është detyrë e pushtetit lokal që të ofrojë këto shërbime jetike.

 

Është një kërkesë që mund të realizohet kollaj”.

 

Kodheli më tej tha se kryetari aktual Armando Subashi i cili kërkon një mandat të tretë nuk ka bërë asnjë gjë për qytetin e Fierit.

 

“Unë shikoj çdo gjë problematike tek drejtuesi i partisë së Rilindjes në Fier. Me përjashtim të qendrës së qytetit dhe disa rrugëve, nuk ka bërë gjë tjetër.

 

E gjithë pjesa tjetër e qytetit është lënë totalisht pas dore dhe pa investime. Rilindja ka 25 vjet që e drejton qytetin e Fierit dhe këto që janë bërë janë shumë pak me atë që meriton në realitet”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re