Është në mandatin e parë si deputete. Nuk është e kënaqur me kushtet e punës që kanë të zgjedhurit e popullit, ndërsa kritikon kolegët për mungesë në seanca plenare e komisione parlamentare, pasi thotë po pengohet zbatimi i agjendës legjislative që i kushton shumë zhvillimit të vendit. Është kjo deputetja e PDK-së, Evgjeni Thaçi-Dragusha, mbesa e presidentit Hashim Thaçi, për të cilin ka vetëm fjalë të mira, çka e quan lider shembull për gjeneratat që do vijnë.

Ajo ndër të tjera në intervistën ekskluzive për tesheshi.com flet edhe për Platformën e qeverisë për bisedimet me Serbinë, Platformën e Kadri Veselit për agjendën shtetërore, kërkesën e opozitës për zgjedhje të reja dhe zgjedhjet e brendshme që do mbahen këtë vit në PDK.

 

Intervistoi: Blendi Gashi

Jeni në mandatin e parë si deputete. Si e vlerësoni punën e deritanishme të institucionet ligjvënës dhe sa keni arritur të jeni zë i votuesve tuaj?

Kjo është legjislatura gjashtë e Kuvendit të Kosovës, e cila ka filluar rreth 8 muaj më parë. Puna e Kuvendit gjatë kësaj kohe është karakterizuar me një numër relativisht të madh të seancave, debate të gjata, interpelanca të shumta. Mirëpo, ashtu siç përmendet edhe në Raportin e Progresit që u publikua këtë muaj, Kuvendi vazhdimisht ka qenë nën trysninë e bllokimit nga ana e disa deputetëve të cilët nuk ngurruan të përdorin edhe gaz lotsjellës për të penguar vazhdimin e seancave; poashtu, mungesa e deputetëve në seanca dhe komisione parlamentare ku diskutohen projektligje, raporte apo strategji shumë të rëndësishme për vendin, është një dukuri e vazhdueshme e cila po paraqet pengesë në zbatimin e agjendës legjislative dhe po i kushton shumë zhvillimit të vendit tonë. Kjo njëkohësisht paraqet edhe problem për deputetët e përkushtuar në punë, e sidomos për ne deputetët që jemi zgjedhur për herë të parë. Në një ambient ku vendimmarrja pamundësohet, diskutimet devijojnë nga ajo për çka është thirrur mbledhja, Kuvendit po i zvogëlohen mundësitë për të ushtruar funksionin legjislativ dhe mbikëqyrës, ndërsa neve si deputet individualisht po na zvogëlohen mundësitë për të ngritur çështje të rëndësishme për elektoratin tonë dhe qytetarët në përgjithësi, dhe për të qenë në krye të detyrës. Një problem tjetër i cili po na pengon shumë është edhe mungesa e kushteve minimale për pune. Deputetet të zgjedhur direkt nga populli, nuk kanë zyrë dhe asnjë mjet përcjellës që nevojitet për të kryer detyrat që paraqiten në baza ditore. Në këtë aspekt jemi në gjendje mjaft të vështirë, duke qenë se ne kemi kontakte të vazhdueshme me qytetar, zyrtar të huaj dhe vendas, kurse takimet kryesisht i zhvillojmë nëpër korridore, lokale apo rrugë.  Kështu që, duke pasur parasysh gjithë këtë situatë, unë mendoj se me përgjegjësi dhe seriozitetin më të lartë kam arritur që të përfaqësoj denjësisht qytetarët.

Jeni mbesa e presidentit Thaçi. Ky i fundit kritikohet jo pak nga opozita dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Ju si e vlerësoni punën e tij?

Jam shumë krenare dhe e lumtur që axha im, presidenti Hashim Thaçi, është lideri shembull për mua, gjeneratën time dhe gjeneratat që do të vijnë. Politikanë të një profili të tillë si presidenti jonë, janë të rrallë në histori, dhe ky është një vlerësim i dhëne nga figura të mirënjohura botërore, dashamirëse ndaj vendit tonë. Përkushtimi, atdhetarizmi dhe mënyra e politikbërjes nga ana e tij, më japin siguri që vendi udhëhiqet nga njeriu i duhur, dhe më jep shpresë se ardhmja e Kosovës do të jetë ashtu siç e dëshirojmë të gjithë: vend politikisht dhe ekonomikisht stabil me perspektivë euro-atlantike.

Qeveria e Kosovës së fundmi miratoi platformën për fazën finale të dialogut me Serbinë, duke i dhënë mandat presidentit Thaçi për t’i udhëhequr këto negociata. Çfarë po synohet përmes kësaj platforme?

Platforma për dialogun me Serbinë, e prezantuar nga kryeministri synon unifikimin e spektrit politik sa i përket kësaj çështje, e cila do të duhej të përfundonte me një marrëveshje finale e cila do t’i hapte rrugë njohjes reciproke dhe anëtarësimit të Kosovës në BE dhe OKB. Megjithatë, kjo platformë pritet të diskutohet në Kuvend, ku secili do të mund të jap mendimin e tij/saj për të.

Së fundmi edhe kreu i partisë suaj Kadri Veseli ka dale me një Platformë shtetërore që synon unitetin politik për tema të mëdha. A është kjo një kundërpërgjigje ndaj tryezës së LDK-së?

Kryetari Veseli ka propozuar një Platformë politike që synon konsensusin ndërpartiak kosovar rreth pesë temave me interes nacional. Kjo nuk është aspak kundërpërgjigje ndaj askujt, por është një ide e menduar gjatë e mirë dhe e zbërthyer konkretisht në një plan mjaft të nevojshëm për vendin zbatimi i të cilit do të bënte që ne të kalonim shumë më lehtë disa procese të vështira që janë në proces apo që do të vijnë më vonë.

Opozita po thotë se konsensusi i vetëm do jetë shkuarja në zgjedhje të reja pasi qeverinë “Haradinaj” e quan të pakicës. A është PDK gati për zgjedhje?

Kërkesa për zgjedhje të jashtëzakonshme nga disa parti opozitare, është jo e sinqertë dhe e bërë për konsum politik. Asnjë parti nuk është gati për zgjedhje në ketë moment. Përveç kësaj, Kosova nuk ka komoditet të mbajë zgjedhje çdo gjashtë muaj. Ne kemi çështje të rëndësishme për të cilat nevojitet angazhim nga të gjithë pa përjashtim, siç është aplikimi për anëtarësim në disa organizata ndërkombëtare, fuqizimi ekonomik i vendit, fuqizimi i demokracisë, perspektiva e të rinjve kosovar etj. Prandaj zgjedhjet e jashtëzakonshme në këtë moment nuk janë prioritet.

PDK sivjet ka zgjedhjet e brendshme partiake. A pritet të ketë kundërkandidat Kadri Veseli për kreun e partisë apo për momentin është i pa konkurrencë?

PDK-ja është në vlugun e punës për zgjedhjet e brendshme të cilat synojnë reformimin e partisë në të gjithë strukturën e saj. PDK-ja si një ndër partitë më të vjetra dhe më e madhja në Kosovë, ka kuadro mjaft të përgatitura për të udhëhequr, dhe mbetet të shihet nëse edhe dikush tjetër do të kandidohet për kryetar përveç z. Veseli. Ajo që unë di është se kryetari Veseli gëzon besueshmëri dhe mbështetje të madhe në parti, dhe është njeriu i duhur për të qenë në krye të partisë. /tesheshi.com/

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re