Duke u përballur me krizën energjetike të shkaktuar nga lufta ruso-ukrainase, vendet evropiane i janë kthyer qymyrit dhe energjisë bërthamore, të cilat deri vonë ishin planifikuar të nxirreshin plotësisht nga përdorimi, raporton Anadolu.

Ndërprerja e furnizimit me gaz natyror nga Rusia, si pjesë e pakos të sanksioneve të Bashkimit Evropian (BE) për shkak të luftës në Ukrainë, thelloi më tej krizën energjetike në Evropë.

Pjesa e qymyrit në prodhimin total të energjisë elektrike të vendeve të BE-së u rrit në 16 për qind në vitin 2022 ndërkaq dy vjet më parë ishte 13 për qind.

Të paktën 26 termocentrale të mbyllura me qymyr u riaktivizuan në BE vitin e kaluar.

Për vite të tëra vendet e BE-së, sigurinë e furnizimit me energji e kanë lënë në plan të dytë për shkak të presionit të publikut dhe në vend të kësaj janë fokusuar në politikat për mbrojtjen e mjedisit dhe parandalimin e ndryshimeve klimatike, por u detyruan të ndërrojnë qëndrimin e tyre me ndërprerjen e flukseve të gazit natyror nga Rusia.

Kriza energjetike ka zbehur edhe kundërshtimet ndaj përdorimit të qymyrit dhe energjisë bërthamore në vendet evropiane.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re