Kur të dëgjoni ezanin, përsëriteni atë që e thotë ezani (Muhamedi a.s.).

Ezani në rrafshin kohorë është fryma e cila shtrihet prej ditëve të para të Islamit e deri më sot, ndërsa në rrafshin hapësinorë, prej një skaji në skajin tjetër të botës. Ai përfshinë të gjitha nivelet intelektuale, reflekton në fusha të besimit, nxitë veprime të caktuara dhe ndikon në sjelljet e njeriut. Ezani gjen shtrirje edhe në marrëdhëniet mes njerëzve, komuniteteve dhe popujve të ndryshëm.

Studimi i ezanit ka karakter teologjik, megjithëqë shtjellimi
i tij kapë dimensione edhe matanë teologjisë. Së këndejmi, përpjekja jonë për të
trajtuar Ezanin, por edhe Kiblen, të cilat në fakt janë “pronë” e miliarda
myslimanëve, është një përpjekje imja për të dhënë një kontribut modest në
debatin rreth Ezanit. Apo, siç thotë Kur’ani: “Edhe nëse nuk i bie shi i madh,
i bie një rigë që i mjafton” (el-Bekare, 265).

Shtrojmë disa pyetja: Përse Ezani dhe Kibla të jenë tema
diskutimi të vazhdueshme prej kohës së Bilall Habeshisë e deri në ditët tona?
Përse është kaq i rëndësishëm për muslimanët? Përse disa e duan Ezanin me zë sa
më të fuqishëm, e disave iu pengon edhe nëse zëri i tij nuk është gjithaq i
lartë. Apo, a kanë të drejtë njerëzit të ankohen në zërin tepër të lartë të Ezanit?

Çka është Ezani?

Të jemi të qartë! Ezani është çështje që lidhet me
besimin në Një Zot, që ka të bëjë me falënderimin ndaj Zotit dhe është thirrje
për t’i rënë në sexhde Atij. Kjo çështje, pra, ndërthurë relacionet
shumëdimensionale të unit mysliman. Sidomos ato shpirtërore, sociale, ekonomike
e politike. Ezani i jep fesë islame ngjyrën e një sistemi unik dhe e shpallë
atë si lëvizje krijuese e përbashkësisë njerëzore që kërkohet dhe promovohet gjithandej
nëpër botë.

Në ditët e para kur po përhapej Islami, shoqërisë së parë
myslimane filluan t’i bashkoheshin kultura e civilizime të ndryshme. Shoqëri të
tëra ndikoheshin edhe nga ezani dhe nga universaliteti i Islamit që manifestohej
sidomos nëpërmes ezanit. Popujt që hynin nën ombrellën e fesë islame, ndërkaq,
vërenin frymën e afërsisë mes vete njashtu siç vërejnë banorët e tokës
rrotullimin e tyre rreth diellit. Ezani u bë mjet unifikimi mes individëve dhe
shoqërive të ndryshme. U bë thirrja më e fortë për bashkim, pa marrë përsyshë
racën, gjuhën apo ngjyrën e lëkurës së njerëzve.

Në rrafshin teknik, Ezani është thirrja e cila i lajmëron
njerëzit për kohët e namazit. Nuk është kusht i fesë, por është njëri prej
riteve më kuptimplota të fesë islame. Edhe pse përbënë shumë pak fjalë, ai
përfshinë themelet e besimit. Fillon me deklarimin e madhështisë së Zotit,
thotë se Ai është Një, mohon politeizmin dhe dëshmon se Muhamendi a.s. është i
dërguar i Allahut. Ezani proklamon mirëqenien e përgjithshme, fton t’i
kthehemi hyjnores, dhe në fund, duke u përqendruar në Njësinë e Zotit, dëshmon
se nuk ka Zot tjetër pos Allahut. “Po të dinin njerëzit se çfarë vlere ka ezani
dhe rreshti i pare gjatë faljes së namazit me xhemat, ata do të garonin për
të”, kishte thënë Muhamedi a.s. Thirrja e ezanit është sunnet-i muekkede
në pesë kohët e namazit, për namazet kaza dhe në namazin e xhumasë. Edhe Ezani
dhe ikameti këndohen në drejtim të kibles. Zyrtarizohet në vitin e parë pas
hixhres.

Çka është Kibla?

Për ezanin thamë se duhet kthyer kah kibla teksa e
lexojmë. Thamë se në rrafshin kohor shkrihet prej ditëve të para të Islamit,
ndërsa në rrafshin hapësinor, prej një skaji në skajin tjetër të botës. Fryma
dhe mesazhi i ezanit depërtojnë kudo në botë. Dhe, meqë bota lëvizë në mënyrë
harkore, grimcat reflektuese të ezanit shpërndahen gjithandej në ekzistencë.
Folur simbolikisht, kibla e myslimanëve ka domethënien e lëvizjes harkore dhe
të orientimit ka një pikë e caktuar. Ka aty ku buron frymëzimi për të qenë
bashkë dhe për tu bashkuar barabarësisht edhe me të tjerët.

Për Kiblen flasin dymbëdhjetë ajete të sures el-Bekare.
Prej ajetit 142 e deri tek 154 Kur’ani vlerëson shumë lartë peshën dhe
filozofinë e Kibles. Këto ajete të Kur’anit prekin edhe disa tema të tjera që
kanë të bëjnë me shoqërinë myslimane.

Çdo gjë që ekziston në mikrokozmikë dhe makrokozmikë, i
nënshtrohet ligjit të lëvizjes e të rrotullimit. Nga lëvizjet qarkore të
entitete burojnë energjitë centrifugale dhe centripetale. Logjikisht dhe nga
këndvështrimi matematikor është e vërtetuar se nga lëvizjet rrotulluese
krijohet një harmoni mes pjesëzave dhe tërësisë së tyre. Ky është një ligj i
Zotit i cili nuk mund të tjetërsohet. Përderisa kozmosi është manifestimi i
ligjshmërisë makrokozmike, atomi është manifestimi i ligjshmërisë mikrokozmike.
Pjesëzat e atomeve si, neutronet, elektronet dhe të tjerat lëvizin pandërprerë
dhe në mënyrë qarkore. Njëjtë si ato, në galaktikën e hapur gjallëron po e
njëjta lëvizje e trupave qiellorë. Ata trupa sillen dhe rrotullohen përreth
trupave tjetër qiellorë. Ky ligj i rrotullimit vlen edhe për botën shpirtërore.
E, meqë “el-Kur’anu kevnun natikun, ve’l kevnu, Kur’anun samitun”, (Kur’ani
është gjuha e natyrës që flet, ndërsa natyra është gjuha e Kur’anit që heshtë),
atëherë, është shumë e logjikshme pse Kur’ani e kishte përmendur këto
ligjshmëri të Zotit dhe pse kishte kërkuar nga ekspertët e fushës të merreshin
me to.

Lidhja reciproke mes Kibles dhe Ezanit

Kibla, pra, ka një relacion tepër të ngushtë me fenomenin
e Ezanit. Kibla është epiqendra rreth së cilës rrotullohen myslimanët ku dhe i
drejtohen asaj gjatë faljes së namazit. Myslimanët tek Qabja që është kibla e
tyre, duhet të gjejnë frymëzimin e nevojshëm për t’i njohur ligjet e Zotit dhe
për t’i vënë në praktikë. Të qartësohemi; Kibla, nuk është objekti i Qabes si
Qabe, por është hapësira ku është e ndërtuar Qabja.

Pra, Kibla është ana e botës kah e cila kthehen
myslimanët në namaz. Ajo është simboli i universalitetit të Islamit. Nuk është
as lindje as perëndim, por është epiqendër. Është pika simbolike dhe faktike
rreth së cilës drejtohen dhe rrotullohen myslimanët. Është qendra e cila
gjendet në Mekë, është burimi i shpirtit islam dhe frymëzuesja më markante për
myslimanët. E rëndësishmja e Kibles qëndron mbi atë se është universale dhe
unikate, është vendi ku çdo mysliman e ripërtërinë shpirtin individual dhe
shoqëror. Individual, teksa kthehet kah ajo në namaz, e shoqërorë, teksa e
kryen haxhin. Kjo hapësirë nuk është abstraksion, por është e “prekshme” dhe
flenë thellë në shpirtin e myslimanit.

Historia e nxjerrë nga tekstet kur’anore na mëson se
myslimanët në fillim teksa falnin namazin ktheheshin kah Kudsi – Jerusalemi.
Sipas asaj që kuptojmë nga ato tekste, kthimi i muslimanëve kah Kudsi ishte i
përkohshëm. Ishte një veprim strategjik i Muhamedit a.s në raport me hebrenjtë
dhe të krishterët. Nëpërmes kësaj, Kur’ani tregoi kontinuitetin e Shpalljes dhe
se Muhamedi a.s. ishte vazhdimi i zinxhirit të profetëve para tij dhe i fundit
në historinë e Shpalljes. Ky veprim strategjik i Kur’anit i bënte me dije se
Muhamedi a.s. ishte i të njëjtës fe që ishin Musai, Ibrahimi e Isai a.s.

Kthimi kah Mesxhidul Aksaja që është në Kuds, Muhamedit
a.s. dhe myslimanëve nuk i pengonte fare. Qenësore ishte falja e namazit, vënie
e fytyrës në sexhde për hir të Allahut. Dhe, kjo është ajo që e bënë të
shtrenjtë Kudsin. Kudsi, kibla e parë e myslimanëve nuk është moment politik
siç e interpretojnë disa, dhe as mund të shpjegohet vetëm me terme politike.
Kibla, pra, sikur edhe ezani, janë pronë e miliardave njerëzve që jetuan dikur
e shkuan, e këtyre që jetojnë sot dhe e gjithë të tjerëve që do të vijnë deri
në Ditë të Kijametit.

Në kohën kur myslimanët në namaz ktheheshin kah Kudsi,
Kudsi ishte kibla edhe e të krishterëve dhe e hebrenjve. Siç mësojmë nga ajetet
145 dhe 149 të sures el-Bekare, nga frika e mosmarrëveshjeve të mundshme që
mund të ndodhnin mes myslimanëve dhe të tjerëve, sepse edhe dukej se një pjesë
e të krishterëve dhe hebrenjve do të mbesin në fenë e tyre, Muhamedi a.s. një
ditë u kthye me fytyrë kah qielli dhe u lut për zgjidhjen e kësaj çështje.
Kështu, në muajin Sha’ban të vitit të dytë pas hixhres, zbret ajeti i cili
urdhëron myslimanët q[ tani e tutje të kthehen kah Qabja. Tani më definitivisht
po caktohej drejtimi i Kibles së myslimanëve.

Është interesant fakti se kur Kur’ani flet për Kiblen,
flet edhe për pozicionin e shoqërisë myslimane që duhet ta kenë. “Ve kedhalike
xhe’alnakum ummeten vasaten” ishte përgjigjja ndaj hebrenjve të cilët
rrotullimin rreth Qabes e shihnin një formalitet të thatë. Ata nuk e dinin se
tubimi rreth një Kible për myslimanët kishte rëndësi më të madhe se sa vetëm
një kthim teknik kah Qabja. Ata nuk mund ta kuptonin rolin e gjithë kësaj. Të
krishterët gjithashtu nuk e kuptonin se kthimi i myslimanëve ka Kibla e re,
ishte tolerancë në përmasa të një tërheqje strategjike nga konflikte të
mundshme mes tri feve monoteiste. Ky ajet tregon për pozitën e mesme që e mban
Islami. Tregon se feja islame ishte lufta e pa kompromis kundër skajshmërive.
Ishte thirrja për zbutjen e teheve jo vetëm politike, por e të gjitha
veprimtarive tjera shoqërore. Ç’është e vërteta, Islami u përqendrua në
kompromisin mes materies e trupit nga njëra anë, dhe shpirtit e frymës nga ana
tjetër. Mes dunjasë dhe ahiretit. Mes ndjeshmërisë dhe arsyes, mes vlerave
morale-shpirtërore dhe të mirave materiale. Të gjitha këto Islami i shihte si
anë të ndryshme të një tërësie të vetme.

Njeriu, sipas Islamit është edhe shpirti edhe materia. Ai
ka nevojë për të mirat materiale dhe për vlera shpirtërore, sepse, secila nga
këto ka domenin e vet dhe funksionet që duhet t’i kryejnë. Shikimi i njëanshëm
në njeriun paraqet njëanshmëri të rrezikshme e cila pamundëson të shihet e
vërteta si tërësi. Aty ku humbet baraspesha, aty niset rruga pa krye kah
katastrofa. E sotshmja është dëshmitare e prishjes së kësaj balance. Dëshmitare
e humbjes së pozitës së mesme, aty ku puqet materia me shpirtin.

Është indikative se pikërisht ajetet që flasin për
Kiblen, flasin edhe për dëmin që vjen nga pasimi symbyllazi i të tjerëve. Fjala
“Leintteba’te ehvaehum”, ishte vërejtje serioze ndaj Muhamedit a.s. dhe gjithë
myslimanëve. Kur’ani u thotë se nuk bënë të jenë kopjues e pasues të të tjerëve
vetëm pse u bie më lehtë. Duhet të jenë vetëmohues dhe të kenë elan për punë.
Kjo vërejtje do të vlente edhe për dijetarët e mëvonshëm myslimanë të cilët
mbyllën derën e ixhtihadit dhe filluan pasimin qorrazi të dijetarëve të
mëhershëm. U përhapën keqinterpretime dhe bidate të ndryshme. Ata që përtuan të
ballafaqohen me probleme, duke mos shikuar në nevojat e kohës dhe dinamikat e
saj, u treguan tolerantë edhe aty ku nuk duhej.

Mos të harrojmë! Muhamedi a.s. kishte arsye të tregohej
oportunist ndaj devijimeve, më shumë se sa dijetarët myslimanë që u treguan të
tillë ndaj bidateve. Muhamedi a.s. nuk u tregua lojal ndaj të ligave. Ishte
këmbëngulës dhe kundërshtar i paepur ndaj imitimeve. Ai ballafaqohej me
problemet e kohës së vetë, dhe me ngulm punonte që t’i zgjidhte ato. Përndryshe,
si do ta krijonte një shoqëri të pavarur dhe konsistente në përmasa të një
civilizimi?

Rëndësia e Qabes që është në pozicionin e Kibles, i
tejkalon përmasat e vetëm një ndërtese. Tek e fundit, përveç gurit të zi që ka
domethënie historike-fetare, ajo nuk ka ndonjë gjë tjetër të jashtëzakonshme.
Si ndërtesë, është si shumë ndërtesa të tjera. Por, ama, ajo që e bënë Qaben të
jashtëzakonshme, është pikërisht fryma dhe shpirti që reflekton ajo.

Nisur nga këtu dhe duke përfunduar temën, Ezani dhe Kibla
duhet të reflektojnë mirësinë dhe tolerancën mes njerëzve. Sikur që nuk guxohet
të atakohen këto dy institucione kaq të rëndësishme të Islamit dhe muslimanëve,
njashtu as Ezani nuk bënë të jetë mjet shqetësimi për ata që nuk i takojnë fesë
islame, apo i të tjerëve që u pengon zëri tepër i lartë i Ezanit.

Shoqëritë e ndryshme duhet të rregullojnë ligjet në bazë
të të cilave rregullohen edhe normativat e jetës. E pra, edhe zëri i Ezanit dhe
i këmbanave të kishave mund të rregullohet me ligj. Kjo do të kontribuonte në
përfundimin e debateve dhe kritikave shumë herë të pa qëndrueshme e të
panevojshme rreth asaj se zëri i Ezanit po i penguaka qytetarët më tepër se
zëri i muzikës dhe zhurmave tjera.  

Dhe për fund, një gjë është mase e sigurt. Njeriu sot
është në kërkim të një “Kible” të përbashkët rreth së cilës do të rrotullohej njerëzimi.
Një “kibël” që do ta frymëzonte njeriun modern për t’i shpëtuar tundjeve që e
kanë kapluar. Këtij njeriu i cili është i tendosur, i hutuar dhe po e lufton vetveten.
Shpresat nuk bënë t’i humbim. Zoti është i Madh. Ai është ndihmëtari më i mirë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re