Lumi Osum, prej vitesh rezuton i ndotur, si pasojë e derdhjes në të të ujërave të zeza,mbeturinave dhe së fundmi mbetjeve industriale dhe ç’është më e keqja mbeteje lëkurore që derdhen në lumë nga fabrika e lëkurëve në fshatin Vodicë nē qytetin e Poliçanit.

Kjo fabrikë lëkurësh, mbetjet e përpunimit të lëkurëve dhe leshit të bagëtive i shkarkon në lumë, duke shkaktuar kështu ndotje të lartë por edhe burim epidemish.

Helmet që shkarkohen kudo kanë dëmtuar prodhimet bujqësore,kanë tharë pemtarinë si dhe kanë rritur sëmundshmërinë tek banorët e fshatit Vodicë e më gjerë.E ndërtuar rreth 25-vjet më parë, fabrika jo vetëm që nuk ka vendosur impiante nëntokësore për shkarkimin e mbetjeve lëkurore por pas përpunimit të lëkurëve dhe leshit të kafshëve ujin e kontaminuar e derdh në kanalet e hapura,që shkarkohen të gjitha në ujërat e Osumit.

Banorët e fshatit Vodicë në qytetin e Poliçanit shprehin shqetësimin për situatën e rënduar,duke deklaruar se e gjithë kjo ndotje që shkaktohet nga fabrika nëpërmjet derdhjeve në lumë të mjeteve të kontaminuara, ka sjellë edhe përhapjen e erës së keqe në të gjithë zonën.

Ata shprehen se, era e keqe ndihet gjatë të gjithë ditës, në mëngjes, drekë dhe darkë por edhe pse janë ankuar në bashkinë e Poliçanit askush nuk ka marrë asnjë masë dhe fabrika punon sipas qejfit.

Banorët shprehen se, ata vuajnë prej vitesh nga probleme të rrugëve të frymëmarrjes për shkak të ndotjes së lartë si dhe shumë prej tyre vuajnë edhe nga sëmundjet e lëkurës nga uji i ndotur i lumit.

“E ndiejmë që e con natën atë të lëkurës. Na jep shqetësime, jemi afër këtu. Ka acid”– u shpreh një banor.

“Ndihet era, po ca të bëjmë neve, afeër jemi, edhe ai e ka punë atë. Mos më pyet për frymëmarrje, kam përdorur ilaçe. Kush e dëgjon llafin tonë. Do e durosh erën nga e keqja”– tha një tjetër.

“Çdo ditë ne nuk rrimë dot, se vjen erë, mëngjes e darkë, po në darkë më shumë. Te ura nuk kalon dot. Kanë probleme pleqtë, gjithmonë të doktoresha, nga ajri. Nuk rrihet dot”– u shpreh banori.

Ndërkohë që dy vite më parë, Agjencia Kombëtare e Mjedisit i’a rinovoi lejen mjedisore kësaj kompanie, pas shkeljeve të konstatuara mbi ndotjen dhe mungesën e impiantit të trajtimit të ujërave të zeza, fabrika nuk e ka ndalur për asnjë ditë punën, jo vetëm ditën por edhe natën.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re