Rrjeti social Facebook mori masa për të parandaluar postimet e shumë llogarive të ushtrisë së Mianmarit, e cila nëpërmjet një grushti shteti rrëzoi qeverinë e zgjedhur.

Në një deklaratë me shkrim, Facebook tha se llogaritë në këtë rrjet që i përkasin ushtrisë së Mianmarit ishin dezinformuese dhe për këtë arsye shpërndarja e përmbajtjeve të këtyre llogarive do të ulet ndjeshëm.

Në deklaratë thuhet se llogaritë nuk do të mbyllen në kuadër të kësaj mase, por se përdoruesit e Facebook-ut do të shohin më pak përmbajtje nga llogaritë e ushtrisë së Mianmarit.

Puçi ushtarak në Mianmar

Ushtria e Mianmarit, pas pretendimeve për mashtrime në zgjedhjet e 8 nëntorit 2020, mori pushtetin më 1 shkurt dhe shpalli gjendje të jashtëzakonshme për një vit.

Më pas u arrestuan presidenti Win Myint dhe ministrja e Jashtme, njëherësh liderja e vendit, Aung San Suu Kyi, si dhe figura të tjera kryesore të partisë në pushtet, Lidhjes Kombëtare për Demokraci (NLD).

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Min Aung Hlaing, i cili mori administrimin e vendit, premtoi rikthim në zgjedhje demokratike pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme, ndërsa liderja Aung San Suu Kyi i bëri thirrje vendit për të protestuar kundër grushtit të shtetit.

Kombet e Bashkuara (OKB), Bashkimi Evropian (BE) dhe shumë vende, duke përfshirë Turqinë, kanë reaguar ashpër ndaj puçit ushtarak.

Kundër grushtit të shtetit në vend filluan protesta më 6 shkurt me kërkesën për kthimin në demokraci, ndërkohë që policia në disa raste ka ndërhyrë ndaj demonstruesve, kurse ushtria ka shpallur shtetrrethim në disa qytete.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re