Prokuroria e Tiranës, ka nisur hetimet për veprën penale “Dhunë në Familje” pas denoncimit të Princ Lekës se ishte dhunuar nga ish-bashkëshortja Elia Zaharia.

Sherri mbretëror mes Princ Lekës dhe Elia Zaharis ishte kryetemë e mediave ditën e djeshme. E ndërsa kishte akuza të ndërsjellta nga të dyja palët për dhunë, video e sherrit qarkulloi gjerësisht në rrjetet sociale.

Lexo edhe :Related Posts

Në video duket Elia Zaharia e cila i kërkon llogari Princ Lekës se pse e ka dhunuar babanë e saj të moshuar dhe në një moment e qëllon. Video është filmuar nga vetë Princi, por ai mohon që ta ketë bërë publike.

Atëherë kush e nxori videon?

Menjëherë pas publikimit të videos në rrjetet sociale, reagoi Oborri Mbretëror, i cili akuzoi komisariatin e policisë për publikimin e pamjeve të cilat duhet të mbaheshin sekret, si provë materiale për dhunën e ushtruar ndaj tij.

Reagimi i plotë nga oborri mbretëror

Përshëndetje, siç edhe jeni informuar, Princ Leka pasditen e 5 marsit ështe sulmuar fizikisht me sende të forta nga ish-bashkëshortja dhe ish-vjehrri i tij dhe videot e këtij momenti janë bërë publike në rrjetet sociale.

Videot jane dorëzuar vetëm në komisariatin e policisë nga Princ Leka ll Zogu, si provë materiale për dhunën e ushtruar ndaj tij, por pavarësisht se janë kosideruar si nje sekret, këto materiale, së bashku me deklaratën, qarkulluan gjerësisht në rrjetet sociale dhe në medie duke përciell imazhe të pakëndëshme dhe me përmbajtje dhune.

Oborri Mbretëror shpreh thellësishtë zhgënjimin nga institucionet ligjzbatuese te të cilat dyshojmë se kanë cënuar të drejtën e anonimitetit, duke shpërndarë videot te të tretë.

Gjithashtu Oborri Mbretëror kërkon ndërhyrjen e policisë dhe institucioneve përkatëse për fshirjen e këtyre imazheve nga rrjetet sociale dhe nga mediet.

Edhe ish-shefi për Marrëdhëniet me Publikun në Pallatin Mbretëror, Erjon Teli, konfirmoi të njëjtën gjë për Vizion Plus. Ai tha se video ka dalë nga organzet ligjzbatuese  aty ku Princi në mirëbesim e ka dorëzuar si provë për dhunën që familja Zaharia ushtroi ndaj tij.

Erion Teli: Kjo video është deponuar sot në organet ligjzbatuese të vendit. Ne aludojmë se ka rrjedhur nga këto organe, do bëjmë një tjetër padi për nxjerrjen e videos. Nga ana e familjes mbretërore kjo nuk mund të ndodhte.

I menjëhershëm ishte reagimi nga Policia e shtetit, e cila mohoi kategorikisht deklaratën.

Policia e Shtetit: Në lidhje me një reagim të bërë nga Oborri Mbretëror, ditën e sotme, ju informojmë se: Nga ana jonë në lidhje me rastin janë kryer të gjitha veprimet e nevojshme procedurale, janë sekuestruar pamjet filmike, të cilat i janë përcjellë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Po kështu deklarojmë që kjo video nuk ka dalë nga strukturat e Policisë.

Sakaq ditën e sotme, Prokuroria e tiranës thotë se ka nisur hetimet për veprën penale dhunë në familje dhe gjithashtu po hetohet se kush e bëri publike videon.

Porkuroria mohon që të jetë ajo “fajtorja”.

Prokuroria: Ndërkohë, në lidhje me të dhënat e publikuara në media, ju bëjmë me dije se, nga ana e Prokurorisë kanë nisur verifikimet edhe në lidhje me publikimin e një videoje, provë materiale.

Nga verifikimet e para, ka rezultuar që materiali kallëzues është depozituar në Prokurorinë e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, pasi videoja është publikuar në media të ndryshme dhe rezulton që zarfi ku është administruar prova të mos jetë i hapur.

Në lidhje me rastin në fjalë, është ngarkuar Agjensia e Mbikëqyrjes Policore për të kryer veprimet hetimore përkatëse./

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re