Ministri i Brendshëm i Kosovës Xhelal Sveçla ka zbuluar se çfarë ka ndodhur në prapaskenë më 24 shtator, ditën e sulmit terrorist nga serbët në veri të Kosovës, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

Ai tregon se ushtarët serbë ishin të pajisur me uniforma të KFOR-it, të cilat paraqisnin elementë jashtëzakonisht të rrezikshëm për një masakër të mundshme masive.

Ai në TV Syri tha se Aleksandar Vuçiçit nuk mund t’i besohet dhe se ky skenar në Serbi mund të përsëritet. “Kemi shumë informacione që sqarojnë skenarin në Serbi të 24 shtatorit, ka pasur diku deri në 90 terroristë të cilët kanë hyrë me armatim të rëndë në Republikën e Kosovës dhe kanë planifikuar të krijojnë një korridor në mes të Republikës së Serbisë dhe dy komunave, Mitrovicës Veriore dhe Zveçani.

“Janë disa armë që nuk mund të gjendet as në tregun zyrtar dhe as në tregun e zi. E kam fjalën për raketahedhëse manuale, rreth minahedhës 82mm, 62mm, e kam fjalën për mina antitank, mina kundër personelit, e kam fjalën për eksploziv, qoftë TNT ose eksploziv plastik, e kam fjalën për top 30mm, që nënkupton tërë arsenalin e armëve që është marrë nga kazermat e ushtrisë serbe.

Për këtë kemi edhe dëshmi të pranimit dhe dorëzimit të atyre armëve. Ky plan përfshinte një element jashtëzakonisht të rrezikshëm, shenjat e KFOR-it në automjete dhe uniforma. Kishin diku rreth 24 armë me silenciator, që do të thotë se ata ishin të gatshëm të maskoheshin si pjesëtarë të KFOR-it dhe të ekzekutonin policinë, me ç’rast tensionet do të rriteshin deri në pikën e vlimit. Në të njëjtën kohë, ata kishin një numër shumë të madh të uniformave dhe armëve me një numër më të madh se sa ishin, që do të thotë se ata ishin të gatshëm t’i jepnin disa nga ato armë dhe uniforma njerëzve që tashmë ishin në Kosovë.

Gjithashtu ka indikacione se grupe të tjera më vonë do të hynin në Kosovë përmes atij korridori. Nuk përjashtohet mundësia e përsëritjes së këtij skenari. Fatmirësisht ata u ndanë shumë keq pas reagimit jashtëzakonisht profesional të policisë së Kosovës dhe kjo të jep shpresë se janë të dëmtuar sa të mos provojnë më, por Serbisë, Aleksandar Vuçiçit dhe qeverisë së tij nuk mund t’i besohet fare”, tha Sveçla.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re