Kreu i PD-së, Sali Berisha, në një deklaratë për mediat, pas denoncimeve të reja mbi inceneratorin e Tiranës, që po gllabëron miliona euro nga taksat e shqiptarëve, ka hedhur akuza ndaj kreut të SPAK-ut, Altin Dumani, duke e quajtur komisar politik, pasi është shprehur se nuk dihen pronarët e inceneratorit të Tiranës.

 

“Inceneratori i Tiranës është një kontratë, e cila u kushton shqiptarëve 420 milionë euro mbi bazën e firmave që janë vendosur në këtë kontratë. Inceneratori i Tiranës u shpall nga Altin Dumani, komisari politik i SKAP-it, si një sipërmarrje që nuk i dihen pronarët. Ky incenerator gllabëron çdo ditë si lubi qindra e mijëra euro të taksapaguesve shqiptarë nga një grup mafioz, i cili ka në krye Edi Ramën, Engjëll Agaçin, Erion Veliajn, dhe disa emra të tjerë.

 

Dy fjalë do t’i them z.komisar Dumanit, se pretendimi juaj, se nuk dihen pronarët, ju akuzon shumë rëndë ju dhe institucionin tuaj.

 

Së pari, le të marrim për të vërtetë atë që ju thoni, se nuk bllokoni dot fondet se nuk dihen pronarët. A mund t’u thoni shqiptarëve: çfarë iu pengon ju zotëri, të dërgoni në gjykatë aferën, sepse ju paraqitët si pretekst pretendimin se janë arbitrazhet. Çdo arbitrazh është i detyruar të marrë parasysh vendimin e gjykatës së vendit.

 

Në afera të tjera është procedurë në këtë mënyrë, por ajo nuk ishte SKAP, ishte Prokuroria e Krimeve të Rënda. Ju nuk e dërgoni dot në gjykatë, sepse jeni në kontrollin dhe në mbështetjen e plotë të asaj bande që vjedh shqiptarët”, tha Berisha.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re