Disa ditë pasi shpalli ID e fituesit, dekani i Fakultetit Ekonomik, Dhori Kule, doli dje në një konferencë për mediat për të qetësuar prindërit dhe të rinjtë që nuk e gjetën emrin e tyre në mesin e fituesve.

“Ditën e enjte fillon procedura 48-orëshe e raundit të parë me shtatë faza.

Në qoftë se të gjithë ata që janë shpallur fitues në listat e para do të regjistrohen ditën e parë dhe të dytë, mbeten automatikisht 311 vende bosh, pasi janë fitues të shpallur në shumë degë.

Por, përveç tyre, ka dhe të tjera vende bosh sepse një pjesë shkon në Mjekësi, Juridik e të tjera, pra, maturantëve që janë poshtë vizës së kuqe do t’u përcillja mesazhin të mos shqetësohen, të mos regjistrohen para kohe atje dhe në atë profil që ata nuk e duan.

Të presin se do t’u vijë radha për t’u regjistruar në Fakultetin e Ekonomisë me procedurat përkatëse të zbritjes”, deklaroi Kule duke ndarë me publikun shifrat e sivjetme të kërkesave, të përafërta me ato të një viti më parë.

“Fakulteti i Ekonomisë ka prioritet absolut.

Numri i aplikantëve ka rekordin e aplikimeve dhe shumë më tepër se në çdo fakultet të Shqipërisë.

Janë afërsisht 20 mijë aplikime, çka tregon se maturantët janë të ndërgjegjshëm për të përcaktuar se në ç’drejtim duhet të kalojë e ardhmja e tyre, cilët janë degët, specialitetet që iu sigurojnë të ardhme të sigurt”.

RISITË

Pas një viti e gjysmë online, Fakulteti Ekonomik rikthehet me risi.

“Fakulteti i Ekonomisë për këtë vit ka disa risi. E fillojmë në ambientet e ristrukturuara.

Së dyti, kemi kompletuar stafin akademik dhe jemi të gatshëm me nivel të lartë cilësor për të filluar vitin e ri akademik. Jemi në vitin e tretë që mësimin për një grup leksioni për të gjitha degët e zhvillojmë në gjuhë angleze.

Ka filluar ardhja e studentëve të huaj që ndjekin mësimin këtu, pas sigurimit të komunikimit”, tha dekani Kule, teksa shton edhe vlerat e një diplome ekonomiku sot në tregun vendas dhe atë të huaj.

“Diploma jonë është e njohur kudo. Studentët tanë, kur shkojnë për mastera me projekte të ndryshme, nuk u kërkojnë provime shtesë. Po kështu, edhe me diplomën master të FE-së punësohen në institucione europiane”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re