Elsa është veçse 5 vjeçe. Jeton në Kosovë. Në trup ka një sëmundje të rëndë që i ka prekur pjesë të fytyrës, barkut e kurrizit. Një sëmundje që ia rrezikon jetën kësaj vogëlusheje dhe ia rëndon shpirtin nënës, e cila nuk kishte mundësi të përballonte kostot e kurimit të së bijës.
Disa ditë më parë, nëna e Elsës i bëri një thirrje “Shiptarët për Shqiptarët”.
Me lot në sy, nëna kërkoi ndihmën e bamirësve, që të mos humbë të bijën. Shqiptarët iu përgjigjën lutjeve të kësaj nëne për shërimin e të bijës.
“Menjëherë pas thirrjes sonë tek Elvis Naçi, “Shqiptarët për Shqiptarët” na ndihmuan. Nuk e kisha menduar kurrë se shuma do të bëhej kaq shpejt. Të gjithë shqiptarëve që kanë kontribuar për Elsën, unë i falenderoj shumë.”-tha nëna e Elsës.
“Për pak ditë Elsa niset në Itali. Jam e lumtur dhe e trishtuar. E lumtur se po shkon të shërohet, por e mërzitur që nuk do të jem bashkë me të për disa ditë. Jam e sigurt se kur do të kthehet nga Italia, do të jetë mirë.”-tregoi motra
Edhe Elsa vogël, e ka një mesazh për të gjithë ata bamirës që kontribuan për të bërë realitet kurimin e saj.
“Faleminderit të gjithë shqiptarëve, ju dua shumë.”
Nuk na mbetet veçse t’i urojmë shërim të plotë Elsës.