TIRANE– Një ditë pasi policia goditi një rrjet trafikantësh që merrej me falsifikimin e vizave në kryeqytet, është zbuluar identiteti i dy policëve të përfshirë në të.

Gazetari Klajdi Bodlli raporton për “BalkanWeb” se të ndaluar për këtë ngjarje janë dy shtetasit Arian Uku dhe Entela Çala.

“Mbi ngjarjet e ndodhura në Qarkun e Tiranës dhe rezultatet e shërbimeve të policisë në kontrollin e territorit të këtij Qarku, për datën 14.05.2018, SHÇBA njofton se:Më datë 14.05.2018, ora 19.00, u ndaluan shtetasit Arian Besnik Uku dhe Entela Seit Çala, të datëlindjes 26.08.1979 dhe 05.06.1975, banues në Tiranë, me arsim të lartë, inspektor në Seksionin e trafikut interurban në Komisariatin e Policisë Rrugore Tiranë dhe specialistë në Seksionin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, sepse Prokuroria për Krimet e Rënda pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, ka nxjerrë urdhra ndalimi ndaj tyre, pasi dyshohen për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, “Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”, dhe “Grupi i strukturuar kriminal”. Nenet 189, 190, 283/a, 298 dhe 333/a të K.P.O.p.gj, Astrit Latifi”, thuhet në njoftimin e SHÇBA.

Deri më tani, lidhur me këtë operacion, janë lëshuar 14 urdhërarreste, ndërkohë që janë ekzekutuar vetëm 7.

Mësohet se baza e grupit kriminal, që dispononte dy laboratorë për falsifikimin e dokumenteve, ishte në zonën e njohur si “Kodra e Diellit” në kryeqytet.

Kujtojmë se në pak kohë ky është operacioni i dytë i ndërmarrë kundër falsifikatorëve të vizave, siç ishte edhe rasti i një grupi kriminal që u shkatërrua pak kohë më parë. Rrjeti i godotur më herët merrej me falsifikimin e vizave për në Britani, SHBA e Kanada, dhe kishin dërguar si klandestinë plot 1 mijë shqiptarë. Nuk dihet ende nëse grupi i goditur sot, pjesë e të cilit rezultojnë të jenë 13 persona, ka lidhje me rrjetin e sipërpërmendur.

(el.sp/BalkanWeb)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re