Policia e Shtetit njoftoi të mërkurën ndalimin e tetë personave, mes tyre 4 administratorë e ortakë të disa shoqërive operatore në trasportin urban në qarkun Tiranë. Policia bëri me dije se ata dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin “kanë falsifikuar qindra mijëra bileta urbani duke krijuar përfitime të paligjshme e shmangur detyrimet tatimore”.

Në njoftimin e policisë thuhet se në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe Drejtorinë e Hetimit Tatimor, pas një hetimi një mujor ishin ndaluar për akuzën evazionit fiskal tetë persona.

Policia bëri me dije arrestimin e “F.I., 60 vjeç, administrator dhe ortak i një shoqërie transporti; F.V., 60 vjeç, administrator dhe ortak i një shoqërie transporti; A. V., 51 vjeçe, administratore dhe ortake e një shoqërie transporti; E. V., 33 vjeçe, administratore e një shoqërie transporti; dy dispeçer: L.A. 47 vjeç dhe A.D. 39 vjeç; K.Q. 42 vjeçe me detyrë ekonomiste në një prej shoqërive të autobusave dhe A.I., 20 vjeç, të cilit ju gjetën të fshehura provat materiale, në tentativë për t’i asgjësuar”.

Sipas policisë, arrestimi i personave të sipërcituar është kryer pasi dyshohet se duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin kanë falsifikuar bileta të transportit urban në kohë dhe periudha të ndryshme. Kjo, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore dhe përfitim financiar të disa shoqërive operatore në trasportin urban në qarkun Tiranë.

“Këta shtetas përdornin bileta urbani të falsifikuara dhe jo të prodhura në Shtypshkronjën e Letrave me Vlerë, të cilat i kishin hedhur në qarkullim duke përfituar shuma të konsiderueshme monetare. Nëpërmjet këtyre veprimeve i kanë shkaktuar shtetit një dëm të madh ekonomik, i cili do të përllogaritet në vazhdimësi nga strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve”, citohet në njoftimin e policisë.

Hetuesit kanë sekuestruar 150 mijë bileta urbani të falsifikuara, që sipas policisë, nëse do të viheshin në përdorim, do të kapinin vlerën 6 milionë lekë. Në cilesinë e provës materiale janë sekuestruar edhe një automjet i markës “Masserati”, 4 aparate celularë, në posedim nga personat nën hetim, kartela të ndryshme financiare të plotësuara me shkrim dore, 5 libra arkash, 62 blloqe mandatesh arkëtimi, 350 kopje mandatesh arkëtimi, si edhe dokumente të tjera me shënime të ndryshme.

Policia njofton se materialet procedurale i jane dërguar për Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në ngarkim të shtetasve të sipërpërmendur, për veprat penale “fshehja e të ardhurave”, “falsifikimi i letrave me vlerë” dhe “mospagimi i taksave dhe tatimeve”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re