Tre persona në Tiranë janë arrestuar nga policia, të cilët akuzohen se falsifikonin dokumentet e të huajve dhe ua shisnin shqiptarëve.

 

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Watermark” u arrestuan Mariglen Hoti, Shkëlqim Hoxha, Ilir Hoxha.

 

Finalizohet operacioni policor i koduar “Watermark”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e falsifikimit të dokumenteve.  

 

Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në DVP Tiranë. 

 

Vihen në pranga 3 shtetas të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin siguronin dhe sillnin në Shqipëri dokumente të shtetësive të huaja, të falsifikuara.

 

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive në fushën e krimeve ekonomiko-financiare, bazuar në inteligjencën informative se disa shtetas merreshin me falsifikime dokumentesh, kanë referuar materialet në Prokurori e cila ka regjistruar procedimin penal. 

 

Si rezultat i hetimeve proaktive të kryera në  funksion të këtij procedimi penal është dokumentuar me prova ligjore kjo veprimtari kriminale dhe është finalizuar operacioni policor i koduar “Watermark”.

 

Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi i shtetasve:  

 

– M. H., 35 vjeç, Sh. H., 52 vjeç, dhe I. H., 34 vjeç, të tre banues në Tiranë.

 

Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar shtetasin M. H., në Kamzë, dhe gjatë kontrollit të dokumenteve i gjetën një dokument (patentë italiane) të dyshuar të falsifikuar.

 

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasit Sh. H., dhe I. H., siguronin dokumentet e falsifikuara jashtë vendit, dhe më pas ja sillnin shtetasit M. H., kundrejt pagesës, dhe ky i fundit gjente klientë dhe i shiste në Shqipëri.

 

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re