Policia e Shtetit njofton se ka vijuar operacioni policor i koduar “Fake Star 5”, i fokusuar në goditjen e aktivitetit të kontrabandës dhe falsifikimit të veshjeve me marka të njohura.
Në kuadër të këtij operacioni, u arrestuan edhe dy shtetas të tjerë të shpallur në kërkim.
Në pranga ranë 21 vjeçari Linidon Haka, djali i ish-kandidatit të PD për deputet Luan Haka, si edhe 46 vjeçari turk Ozkan Sulun, i cili dyshohet se ka koordinuar procesin e stampimit të logos false në veshjet e kontrabanduara.
Diten e djeshme u vunë në pranga, Luan Haka, Ali Bushati, Xhuljo Lecaj dhe Arjan Hida.
Luan Haka ka qenë kandidat për deputet i Partisë Demokratike në vitin 2021, kur drejtohej nga Lulzim Basha. Po ashtu, Haka ka kandiduar edhe si kryetar bashkie në Dibër në zgjedhjet e pjesshme lokale të vitit 2022.
LEXO EDHE: Falsifikonte markat e famshme firmato të veshjeve, në pranga edhe Luan Haka, ish-kandidat i PD së Bashës për deputet dhe kryetar bashkie! Në kërkim u shpall djali i tij
OPERACIONI
Policia e Shtetit finalizoi operacionin kundër kontrabandës dhe falsifikimit të produkteve të markave të njohura ndërkombëtare. Operacioni, i koduar “Fake Star 5”, u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DPPSh.
Gjatë këtij operacioni, në zonën e Rrugës së Arbërit, konkretisht në fshatin Brrar, u zbuluan dy magazina ku stampoheshin veshje të kontrabanduara me logo të falsifikuara të markave të njohura. Policia arrestoi 4 shtetas, shpalli në kërkim 2 të tjerë – njëri prej të cilëve shtetas turk – dhe procedoi penalisht në gjendje të lirë 4 punonjës.
Njoftimi i policise se shtetit
Vijon operacioni policor i koduar “Fake Star 5”.
Lokalizohen dhe kapen të 2 shtetasit e shpallur në kërkim.
Njëri prej tyre, shtetas turk që koordinonte procesin e stampimit me logo false të veshjeve të kontrabanduara.
I ndaluari tjetër, bashkadministrator i njërës prej magazinave ku kryhej procesi.
Dje, gjatë operacionit, u vunë në pranga 4 shtetas dhe u proceduan në gjendje të lirë 4 të tjerë.
Si rezultat i kontrolleve të kryera me mbështetjen e inteligjencës policore, në vijim të operacionit “Fake Star 5”, Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me komisariatet e Policisë Nr. 3 dhe Nr. 4, lokalizuan, kapën dhe vunë në pranga shtetasin turk O. S., 46 vjeç, si dhe shtetasin L. H., 21 vjeç.
Ata ishin shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Fake Star 5”, sepse dyshohet se janë përfshirë në veprimtaritë kriminale të magazinimit në 2 ambiente në fshatin Brrar, të veshjeve të kontrabanduara, të cilave iu stampoheshin logo false të markave të njohura ndërkombëtare.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.