Detaje të reja janë mësuar në lidhje me operacionin “Fake Star 5”, ku u zbuluan dy fabrika të mëdha me veshje kontrabandë të cilat më pas falsifikoheshin me marka luksi fake.

Një prej personave i përfshirë në këtë grup është edhe Luan Haka, kandidat për deputet i Partisë Demokratike në vitin 2021, kur drejtohej nga Lulzim Basha.

Po ashtu, Haka ka kandiduar edhe si kryetar bashkie në Dibër në zgjedhjet e pjesshme lokale të vitit 2022.

Gjatë operacionit “Fake Star 5”, u shpall në kërkim edhe djali i Luan Hakës, Lindion Haka. Të dy ishin bashkadministratorë të njërës prej magazinave.

Po ashtu në pranga u vu edhe Ali Bushati dhe Xhuljo Lecaj, të cilët ishin bashkadministratorë të magazinës tjetër.

U arrestua edhe Arjan Hida, qiradhënës i pronave, ndërsa u shpall në kërkim shtetasi turk Ozkan Sulun, i cili koordinonte realizimin e këtyre veprimtarive kriminale.

LEXO EDHE: Stamponin në veshje të kontrabanduara logo false të markave të famshme në dy magazina, arrestohen 4 persona! Shpallet në kërkim shtetasi turk, “koka” që drejtonte grupin

OPERACIONI

Policia e Shtetit finalizoi operacionin kundër kontrabandës dhe falsifikimit të produkteve të markave të njohura ndërkombëtare. Operacioni, i koduar “Fake Star 5”, u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DPPSh.

Gjatë këtij operacioni, në zonën e Rrugës së Arbërit, konkretisht në fshatin Brrar, u zbuluan dy magazina ku stampoheshin veshje të kontrabanduara me logo të falsifikuara të markave të njohura. Policia arrestoi 4 shtetas, shpalli në kërkim 2 të tjerë – njëri prej të cilëve shtetas turk – dhe procedoi penalisht në gjendje të lirë 4 punonjës.

Njoftimi i policisë:

Policia e Shtetit

Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DPPSh, operacioni policor i koduar “Fake Star 5”.

Zbulohen në Rrugën e Arbërit, 2 magazina ku stampoheshin veshje të kontrabanduara, me logo false.

Arrestohen 4 shtetas të implikuar në këto veprimtari kriminale.

Shpallen në kërkim 2, njëri prej tyre shtetas turk.

Procedohen në gjendje të lirë 4 punonjës.

Sekuestrohen sasi të mëdha veshjesh, dhjetëra makineri qepjeje, printimi ose stampimi, logo të markave të njohura ndërkombëtare, 6 dokumente të shtetasit turk, një shumë lekësh, njësi kompjuterike, 1 celular, si dhe sende/dokumente të tjera që do t’i shërbejnë hetimit.

Si rezultat i administrimit të inteligjencës policore, të siguruar në vijim të punës kundër kontrabandës dhe krimeve të tjera ekonomiko-financiare, se në Rrugën e Arbërit, në fshatin Brrar, magazinoheshin veshje të kontrabanduara, të cilave iu viheshin logo false të markave të njohura ndërkombëtare, Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar finalizoi operacionin “Fake Star 5”.

Gjatë operacionit:

-u arrestua shtetasi L. H. dhe u shpall në kërkim djali i tij, shtetasi L. H., bashkadministratorë të njërës prej magazinave;

-u arrestuan shtetasit A. B. dhe Xh. L., bashkadministratorë të magazinës tjetër;

-u arrestua shtetasi A. H., qiradhënës i pronave;

-u shpall në kërkim shtetasi turk O. S., i cili koordinonte realizimin e këtyre veprimtarive kriminale;

-u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për shtetasit R. Gj., Z. H., Sh. M. dhe A. H., punonjës në këto magazina.

Si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme, u konstatua se 2 magazinat ishin të pajisura me linja makinerish për qepje, printim dhe stampim me logo false, të markave të njohura ndërkombëtare, të veshjeve dhe aksesorëve të dyshuar të kontrabanduar.

Punohet për lokalizimin dhe kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”, “Punësimi i paligjshëm”, “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave”, “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” dhe “Moskallëzimi i krimit”.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko