Aktivistët australianë ia dolën që të ndaloni
deportimin në mesnatë të një familjeje azilkërkuese nga Tamil, ndërkohë që po
transportoheshin me avion. Një vendim gjykate që iu dha ndërkohë që familja
ishte në fluturim, ndaloi deportimin e Nadesalingam, Priya dhe dy vajzave të
tyre drejt Sri Lankës.

Rasti i familjes shkaktoi zemëratë të gjerë në
opinionin publik që prej Marsit të vitit të shkuar, kur autoritetet vendosën dëbimin
me forcë të tyre nga shtëpia në Queensland.

Australia e mbrojti vendimin të premten duke thënë
se ata nuk ishin refugjatë.

“Vendi
ynë nuk e ka për detyrë që t’i japë atyre mbrojtje“,
tha Ministri i Brendshëm, Peter Dutton, duke folur për mediat vendase.

Ai tha se kërkesa për azil e familjes ishte
procesuar dhe refuzuar në mënyrë korrekte nga autoritetet e emigrimit. Apelet që
pasuan pas këtij vendimi, dështuan.

Prindërit e familjes, Nadesalingam dhe Priya u njohën
dhe u martuan në Australi, pasi ishin arratisur nga lufta civile në Sri Lanka.
Vajza 2-vjeçare Tharunicaa dhe motra e saj 4-vjeçare Kopika, kanë lindur të
dyja në Australi.

Mbështetës të familjes thonë se nëse ata kthehen në Sri
Lanka rrezikojnë persekutimin, për shkak të lidhjeve politike që kanë pasur në
të shkuarën.

Familja punoi dhe jetoi për 3 vjet në qytezën e vogël
të Biloela, përpara se të dërgoheshin me forcë në një qendër ndalimi Marsin e
shkuar. Bastisja policore që në agim, ku morën pjesë dhjetëra oficerë, shkaktoi
një kundërpërgjigje të ashpër nga komuniteti. Një peticion për rikthimin e tyre
në shtëpi tërhoqi më shumë se 120 mijë firma.

Në një zhvillim të premten, një gjykatë federale lëshoi një urdhër që e ndalon qeverinë të deportojë fëmijën e vogël përpara të mërkurës së ardhshme. Sipas BBC, mbetet e paqartë nëse qeveria do të lejojë qëndrimin e pjesës tjetër të familjes, të cilët publikisht janë identifikuar vetëm me emrat e tyre.

“Duke
marrë parasysh rrethanat do të ishte çnjerëzore që ta ndaje familjen në këtë
pikë”, tha për gazetarët avokatja Carina Ford.

Si
u ndalua deportimi në fluturim?

Mbrëmjen e së enjtes, protestues të shumtë shkuan në
Aeroportin e Melbourne, pasi mësuan se familja do të deportohej brenda pak orëve.

Avioni i tyre u nis rreth orës 23:00, (me orën
lokale), por avokatët ia dolën që gjatë fluturimit të merrnin urdhrin nga
gjykata, duke parandaluar kështu deportimin e Tharunicaa.

Vendimi, që u komunikua nga një gjykatës nëpërmjet telefonit, e
detyroi avionin që të ulej rreth 3 mijë kilometra larg, në Darwin, rreth
orës 03:00 (me orën lokale).

Të premten, shumë australianë, përfshirë ligjvënës, shprehën
zemëratën e tyre në internet për trajtimin që iu është bërë familjes dhe
i bënë thirrje qeverisë që të tregonte dhembshuri./tvklan

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re