Familja e Liridona Ademajt, 30-vjeçares që u vra më 29 nëntor në fshatin Bërrnicë të Prishtinës, i është drejtuar me një letër Prokurorisë, përmes së cilës ka kërkuar takim urgjent, që të informohen rreth rastit.

Letrën, e ka bërë publike vëllai i viktimës Leonard Ademaj, i cili përmes një postim në Facebook shkruan se nuk kanë marrë asnjë lajm nga prokuroria, por janë informuar vetëm nga materialet e publikuara në media.

Ai shton, se si familjarë të viktimës, kanë të drejtën ligjore për të ditur se deri në çfarë hapi janë hetimet. Ata kërkojnë takim me prokurorin e çështjes, të cilin deri tani nuk e dinë se kush është.

“Ju njoftojmë se sapo i jemi drejtuar prokurorisë për një takim urgjent që të informohemi rreth rastit të vrasjes së më të dashurës tonë Liridona Ademaj.

Ne jemi thellësisht falenderues për punën e bërë deri më tani nga policia dhe prokuroria. Mirëpo, jemi të shqetësuar që deri më tani prokuroria nuk ka kontaktuar fare me neve. Ne ende zyrtarisht nuk jemi informuar se kush është prokuror i rastit dhe informacionet e vetme i kemi nga raportimet në media.

Ne duam të sqarojmë që nuk kërkojmë qasje në informacione konfidenciale mirëpo kërkojmë që si familjarë të jemi të informuar, e drejtë kjo e garantuar ligjërisht”, shkruan Leonard Ademaj./

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re