Dy personazhet e fotove nga familja e Enver Hoxhës, Liljana dhe Sokol Hoxha, reaguan publikisht pas publikimit të fotove të famshme të tyre me Sali Berishën në Pogradec, duke i quajtur ato shkelje të privatësisë së tyre.

Në reagimin e tyre me shkrim, Liljana dhe Sokol Hoxha shprhnin indinjatën që foto të tyre private janë bërë publike dhe i quanin këto, metoda dhunuese të pahijshme, që nuk përfaqësojnë asnjë domethënie politike.

Më poshtë reagimi i plotë i tyre:

«Është për të ardhur keq që opozita në mungesë të vizionit përsihat vajtueshëm vetëm ndasitë në llogore, në rastin konkret sorollatet me këto metoda të pahijshme dhe dhunuese por që s’përfaqësojnë asnjë domethënie politike e as sociale për të sotmen.

Me rënien e regjimit ne nuk kemi të bëjmë me asnjë nga personazhet e këtyre fotove rrethanore, madje përveç kryeministrit që vetvetiu të ndan hierarkia, me B.Salën e I.Kalon jemi ndarë për papajtueshmëri karakteresh nga ana jonë që në regjimin e kaluar e për revansh politik nga ana e tyre më pas. Cilido të jetë qëllimi i emetimit të këtyre fotove nuk mund të jemi dakord me botimin pirat të tyre së paku pa dijeninë tonë.

E para, është e gabuar në principin themelor të shkeljes së të drejtave të njeriut. E dyta dihet që jemi principalisht opozitarë të pushtetit por edhe të opozitës kur ajo nuk qëndron drejt. Kësisoj s’bëjmë asnjë anë përveçse qëndrimit analitik ndaj problemeve konkrete.

Ndaj e ndjejmë fort lëndimin tashmë të tejpërdorimit politik të profilit tonë nga vetë politika, media e shoqëria. Kur edhe logjika nuk të çon përpara veçse pas sepse reciprokisht nuk është fshehur ndonjëherë miqësia jonë e ndërprerë tashmë me kryeministrin, që për atë kohë ishte normale si një nga intelektualët me në zë dhe me integritet”.

Sokol e Liliana Hoxha

Berisha: Më dërgoni fotot origjinale me djalin e Enverit

Sali Berisha, që ka si një tezë të fortë të artikulimit të tij politik anti-komunizmin, reagoi mbi fotot e publikuara, ku ai shfaqet krah familjes së diktatorit Enver Hoxha në Pogradec.

Me një të qeshur, që nuk dihej nëse fshihte sikletin e këtij zbulimi, në një kohë kur ai akuzon opozitën për lidhje shpirtërore me diktatorin, apo tregonte nostalgji për atë kohë të rinisë së tij, kur ishte i preferuari i familjes diktatoriale.

“Do tu kërkoj të më çojnë origjinalet, 30 vjet më parë duket si 8 vjet më parë e parë. Menduan se do të më thyejnë, por unë nuk thyhem kollaj”, tha Berisha duke komentuar fotot që kanë bërë shumë bujë pas publikimit në të gjitha mediat e shkuara.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re