Pjeter Gjoka, pajtues gjaqesh ka shpjeguar se çfarë parashikon Kanuni në rastin e konfliktit mes familjeve Rexha dhe Gosa, ku deri tani janë vrarë tre persona, dy vëllezërit Edmond dhe Arjan Gosa dhe Altin Rexha.

Për Gjokën ngjarja e dy ditëve më parë nuk duhet të kishte ndodhur, pasi konflikti duhet të ishte shuar që kur ndodhi vrasja e parë, e Edmond Gosës dhe Altin Rexhës.

I ftuar në emisionin “Panorama e Mëngjesit” në Panorama TV, Gjoka u shpreh se tashmë i takon familjes Rexha që të ngujohet, pasi Habib Rexha me vrasjen qe i beri Arjan Goses nuk ka marrë gjak, por ka rënë në gjak.

Po ashtu, Gjoka bën përgjegjës edhe institucionet e shtetit, policinë dhe prokurorinë, që nuk kanë zbardhur ngjarjen e parë.

Gjoka: Unë dua të përmend punën që duhet të ishte bërë me këto familje që në mars. Në momentin që ka ndodhur ngjarja e parë duhet të ishte ndërhyrë me shpejtësi nga rrethi i gjakut të dy familjeve për të qetësuar gjakrat.

Kjo nuk ka ndodhur veçanërisht tek familja Rexha, e cila përveç rastit që ka ndodhur që mbetën dy të vrarë, në shprehjen kanunore kanë  mbetur të vrarë gjak për gjak.

Familja Rexha mesa duket ka pasur më shumë se kaq, duke analizuar shkaqet e përtej vrasjes së parë dhe për t’u hakmarrë.

Pyetje: A duhet të ishte shuar gjaku në këtë rast?

Gjoka: Po, kjo tregon për mungesë të punës.

Pyetje: Do të vazhdojë kjo gjakmarrje?

Gjoka: Lëndimi i djalit të viktimës në ngjarjen e marsit nuk mbetet shumë e zbardhur! Përsëri komuniteti, njerëzit, pajtimtarët dhe rrethi i gjakut duhet të kishte ndërhyrë.

Pyetje: Si duhet të ishte ndërhyrë?

Gjoka: Unë nuk kam ndërhyrë në këtë çështje, por duhet të kisha shkuar. Pjesa tjetër që unë kam rezerva është puna e prokurorisë dhe e policisë. Këta njerëz nuk e kanë kryer detyrën. Duhet të ishte ndërhyrë. Ne kemi prokurorinë, e cila nuk e zbardhur.

Kanuni nuk e parashikon që kur mbeten dy të vrarë, gjak për gjak, problemi duhet të sheshohet. Mundësisht këmbejnë edhe kafet dhe çështja përfundon. Në këtë rast nuk ka ngujim. Tani nuk ka të bëjë me gjakmarrje, kjo quhet vrasje e pastër tani.

Vrasja është me paramendim, tani ai nuk ka marrë gjak, por ka rënë në gjak. Tani i takon familjes Rexha të ngujohet. Ajo që me shqetëson mua është që këto ngjarje ndodhin në Shqipëri dhe na ndodhin ne.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re