Familjarët e Jani Rustemit, 27-vjeçarit që ndërroi jetë pas një muaji në gjendje kome, kanë protestuar ditën e sotme para Ministrisë së Drejtësisë.

 

I riu ishte i arrestuar për vjedhjen e një tapeti e një palë atleteje, ndërsa pak ditë pas kapjes së tij ai u shtrua në spital.

 

27-vjeçari njihej si përdorues droge dhe mjekët dyshohet se i kanë dhënë overdozë metadon për qetësim.

 

Familjarët shprehen se kur ishin në spital, nuk e lejonin që të shihnin djalin dhe pasi ka ndërruar jetë pretendojnë se kanë vënë re shenja dhune në trupin e tij.

 

“Kontrollova djalin dhe ka pasur dhëmbin e thyer dhe pjesën e veshit të nxirë. Në Spital nuk na lejonin ta shikojmë.

 

Nuk e dimë se s’na lejonin ta shohim. Do të vazhdojmë protestat dhe do të kërkojmë të drejtën kudo.

 

Policia nuk ka të drejtë të prekë një njeri me dorë. Çfarëdolloj krimi të kenë bërë. Askush s’ka të drejtë të dhunojë askënd”, thanë familjarët e të riut.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re