Situata nuk është qetësuar krejtësisht pas rebelimit të Yevgeny Prigozhinit dhe grupit të tij të mercenarëve, Wagner, që paraqiti sfidën më të madhe për Kremlinin që nga rënia e Bashkimit Sovjetik.

Luftëtarët nga grupi famëkeq i mercenarëve do të lejohen që ose t’iu bashkohen forcave të rregullta ruse, të shpërndahen, ose të zhvendosen në Bjellorusi. Autoritetet ruse kanë thënë se nuk do të ndjekin penalisht rebelët. Prigozhin veçse është zhvendosur në Bjellorusi.

Familjarët e luftëtarëve që ose kanë marrë pjesë në rebelim, ose vetëm i janë bashkuar Grupit Wagner të tërhequr nga rrogat e mira apo nga reputacioni i grupit, apo të dyja së bashku, kanë frikë dhe paqartësi lidhur me atë se çfarë do të ndodhë më pas.

Në grupe bisedash në Telegram, që janë krijuar nga familjarët, po ashtu ka shprehje të zemërimit lidhur me mënyrën se si u trajtuan rebelët dhe ndaj zyrtarëve qeveritarë, sikurse ndaj ministrit të Mbrojtjes, Sergei Shoigu, zyrtar që ka qenë në shënjestër të kritikave të vazhdueshme të Prigozhinit.

“Ja ku jemi, nën dorën e [ukrainasve]… dhe tani ka nisur zgjidhja e çështjeve të brendshme dhe [ukrainasit] mund të marshojnë në qytet brenda një dite”, shkroi një grua më 24 qershor. Ajo la të kuptohet se jeton në Shebekino, një fshat rus afër kufirit ukrainas që është goditur nga sulme me raketa më herët gjatë këtij muaji. Zyrtarët rusë thanë se raketat u hodhën nga Ukraina.

“Dhe pastaj kush e pëson nga ky qërim hesapesh mes Prigozhinit dhe Shoigut? Vafshin në djall. Kam një foshnje në krahë. I dashuri im është [në Wagner] qe dy muaj. Çfarë do t’i ndodhë atij? Ai veçse ka vuajtur shumë, kjo është hera e dytë [që merr pjesë në luftë]”, shkroi ajo.

 

“Prigozhini po copëtohet. Të gjithë janë kundër tij, thjesht është një makth”, shkroi një grua tjetër. “Çfarë do të ndodhë me burrat tanë? Prigozhin ka shkuar në Bjellorusi. Ata veçse po ndërtojnë një kamp të ri atje. Çfarë do të ndodhë me burrat tanë? Duket se ata po shihen si tradhtarë dhe janë lënë në mëshirën e fatit”.

“Gjithë këta muaj kanë shkuar huq”, shkroi ajo më 26 qershor, që duket se iu referuar të dashurit të saj ose burrit. “Para se të nisej për në Bjellorusi, atij iu desh që të zgjidhte të gjitha çështjet këtu me ata që nënshkroi kontratë. Në fund, ai është përgjegjës për të gjitha… Kjo është tradhti”.

Më 27 qershor, agjencia kryesore e sigurisë në Rusi, Shërbimi Federal i Sigurisë (FSB) njoftoi se do të heqë dorë nga hetimi penal për ata që kryen rebelimin. Megjithatë, kjo lëvizje vetëm se thelloi shqetësimet për shkak të konfuzionit nëse Grupi Wagner vërtetë do të shpërbëhej – siç ka deklaruar Prigozhini – apo nëse luftëtarët do të inkorporoheshin krejtësisht në ushtrinë e rregullt ruse.

“Më thoni, çfarë do të ndodhë me burrat tanë pas marshit të djeshëm”, shkroi një grua tjetër më 25 qershor, një ditë pas rebelimit, kur një grup i ushtarëve të Wagner-it u nis në veri drejt Moskës, por marshimi u ndal pak para arritjes në kryeqytetin rus.

Disa që postuan mesazhe shprehën zemërimin e tyre ndaj Putinit. “Dua që presidenti të zgjidhë këtë situatë dhe jo vetëm të deklarojë se ata ishin rebelë dhe tradhtarë”, shkroi një grua tjetër. “Por, për disa arsye, një palë e tretë zgjidhi konfliktin. Në fund të fundit, presidenti ynë nuk është [lideri bjellorus, Alyaksandr] Lukashenka”.

Radio Evropa e Lirë e kishte të pamundur të kontaktonte, apo kuptonte vendndodhjen e personave që postuan mesazhet e tyre në seksionin e komenteve.

“Ata na quajnë banditë?”

Nuk ishin vetëm familjarët e luftëtarëve të Wagner-it që u tronditën apo inatosën me mënyrën se si u zhvillua rebelimi apo për shqetësimet lidhur me çfarë do të ndodhë tani.

Dy luftëtarë të Wagner-it që thanë se ishin në autokolonën që ishte nisur drejt Moskës më 24 qershor, i thanë Radios Evropa e Lirë se ishin “pak të zhgënjyer” me rezultatin e rebelimit.

“Së pari, ata shkuan për të shkatërruar sistemin dhe për të ndryshuar Qeverinë”, tha njëri prej luftëtarëve, i identifikuar me emrin Andrei. Ai tha se është nga rajoni siberian, Irkutsk. “Më pas, Putini dëgjoi shqetësimet tona. Ai mësoi shumë, të vërtetën [për Shoigun] dhe premtoi se do të rregullonte gjithçka”, tha Andrei. “Po, ne ishim pak të zhgënjyer”.

Andrei tha se nuk do të pranojë që të shërbejë nën komandën e Ministrisë së Mbrojtjes dhe shtoi se është i bindur që Wagner “do të qëndrojë më vete”.

Aleksei, i cili nuk pranoi të jepte mbiemrin, tha se ka shërbyer po ashtu në grupin privat ushtarak, Wagner. Edhe ai u pajtua me qëndrimin e Andreit. “Ne nuk do të shërbejmë nën komandën e Ministrisë së Mbrojtjes”, tha ai. “Ne kemi punuar ngushtë me ta, duhej të punonim. Por, paligjshmëria me të cilën jam përballur me ta nuk ishte as e përafërt me atë që mbaj mend kur kam qenë në burg herën e fundit”.

Në burg, tha ai, mund të arrihej ndonjë marrëveshje me rojet e burgut për ndonjë gjë, por kurrë me zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes. Ai tha se ata ishin “gjithmonë të dehur”.

“Na kanë zhgënjyer shumë herë, jo me qëllim, do të thosha, por me shumë gjasa sepse ishin përtacë. Ata na premtuan se do të na ndihmonin, por dështuan që të na jepnin mbështetje me artileri. Ata na quajnë ne banditë?”.

“Jo, unë nuk jam i shqetësuar se ata do të na ndajnë”, tha ai. “Çfarë, a nuk ka edhe disa fushata të tjera [ushtarake] private që po zhvillohen në mbarë botën?”.

“Nuk është qetë në Afrikë. Mund të shkoni në Siri jo si ‘muzikant’, por si ‘valltar’”, tha ai, duke iu referuar nofkave që Grupi Wagner përqafoi teksa po rekrutonte mercenarë vitin e kaluar.

Në zyrën për rekrutim të Wagner-it në qytetin siberian Çita, Yury Ryazantsev, – i cili është dërguar disa herë në rajonin lindor ukrainas të Donbasit dhe tani punon si rekrutues – tha se e nisi ditën e 24 qershorit me një thirrje nga një koleg.

“Nuk kam ditur asgjë për vendimin e Prigozhinit”, tha ai për REL-in disa orë pasi nisi rebelimi. “Një ditë më herët u ktheva nga Donbasi. Atje kam luftuar. Askush atje nuk fliste për ndonjë rebelim. Gjithçka ishte njësoj si gjithmonë”.

Ai tha se rekrutuesit e Wagner-it në Siberi dhe Lindjen e Largët mësuan për rebelimin pasi ai nisi. Ai tha se nuk ishte i sigurt për fatin e organizatës, veçmas të udhëheqjes.

Megjithatë, ai shprehu admirim për Prigozhinin. “Mund ta kuptoni Prigozhinin. Imagjinoni: Ne jemi në luftë, po çlirojmë territore dhe Ministria e Mbrojtjes po na godet”, tha ai duke iu referuar raportimeve të pakonfirmuara se ushtria ka kryer një sulm ndaj një baze të Wagner-it dhe kjo u tha se ishte arsyeja që nxiti rebelimin.

“Mbi 1.000 luftëtarë u vranë gjatë të shtënave. Prigozhini nuk mund të rrinte duarkryq. Por, jam i sigurt se ky rebelim nuk do të shndërrohet në diçka të keqe për ne. Dikush do të vijë dhe do të zë vendin e tij. Ata do ta zëvendësojnë Pirgozhinin me dikë tjetër dhe ne do të vazhdojmë”.

Ai tha se zyra e rekrutimit ka pranuar thirrje dhe aplikime nga burra nga e gjithë Siberia dhe Lindja e Largët, që janë dislokuar në Donbas. “Wagner gjatë gjithë kësaj kohe është bërë shpëtim për ata që kanë dashur të shërbejnë për atdheun, por nuk kanë mundur”, tha ai. “E kuptoni, këta persona ishin në burg në të kaluarën dhe nuk mund t’i bashkoheshin ushtrisë, prandaj i morëm ne”, tha ai.

“Çfarë më pëlqen te Wagner-i është se ne jemi si një familje e madhe. Për dallim nga ushtria ruse dhe ata që janë mobilizuar, pjesëtarët e Wagner-it nuk pinë alkool: ata janë shumë striktë për këtë çështje”, tha ai.

Banorët lokalë në Ukrainë “kanë perceptim më pozitiv për ne sepse djemtë tanë nuk grabisin, për dallim nga ushtria ruse”, tha ai.

Më vonë gjatë 24 qershorit, faqja në rrjetet sociale e zyrës së rekrutimit të Wagner-it në Çita u bllokua dhe Ryazanstev nuk pranoi t’i përgjigjej thirrjeve të tjera të REL-it.

Rekrutët te porta

Luftëtarët e Wagner-it dhe familjarët e tyre nuk janë të vetmit që janë të zemëruar me atë që ndodhi më 24 qershor. Një numër i panjohur i ushtarëve të rekrutuar – burra të rinj që kryejnë shërbimin e detyrueshëm ushtarak – u urdhëruan që të dislokoheshin në qytetin jugor të Rostov-on-Donit – si dhe në rajonin e Moskës – në përgjigje të rebelimit të Wagner-it.

Zinaida, që kërkoi t’i publikohej vetëm emri, tha se djali i saj u thirr më 23 qershor, në kohën kur forcat e Wagner-it nisën të lëviznin. Ajo tha se djali i saj dhe rekrutë të tjerë në njësitin e tij nisën të dislokoheshin në Kolomna, një qytet që gjendet pranë vendit ku bashkohen dy lumenj në juglindje të Moskës.

Autoritetet shpejt krijuan pozicionet mbrojtëse me thasë rëre dhe krijuan postblloqe me roje në disa kalime të lumit në jug të Moskës, për të pritur arritjen e autokolonës së Wagner-it.

“Këta rekrutë po përgatiteshin që të ballafaqoheshin me këta banditë”, tha ajo për REL-in. “Rekrutët dhe [ushtarët e mobilizuar] u dërguan te një barrierë në Kolomna”.

“U luta tërë natën, tërë ditën dhe e falënderova Zotin që ata u ndalën”, tha ajo.

Një grua tjetër nga rajoni i Moskës, e cila u prezantua me emrin Yulia, i tha REL-it se babai i saj ishte ushtar në ushtrinë e rregullt, ndërkaq vëllai i saj shërben në Grupin Wagner.

Vëllai i saj, tha ajo, i tha asaj që luftëtarët e tjerë të Wagner-it nuk ishin shumë entuziastë që të luftonin me trupat e rregullta ruse. “Vëllai më shkroi: ‘Do të dorëzoj armët në Moskë, nuk dua të vras qytetarë të vendit tim’”, tha ajo.

“Tani ai dhe bashkëluftëtarët e tij nuk e dinë se çfarë do të ndodhë me ta. Një gjë është e sigurt: ata nuk do të mund të shkojnë në Bjellorusi, për të ndjekur shembullin e Prigozhinit”, tha ajo. “Më duket se vetë Wagner-i do të qëndrojë këndej vërdallë, vetëm se do të kontrollohet nga Bjellorusia”. Burimi: Radio Europa e Lire

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re