Fanella të cilën Diego Maradona e kishte veshur kur shënoi golin e tij të famshëm i cili u quajt “Dora e Zotit” (Hand of God) kundër Anglisë në Kupën e Botës në vitin 1986 u shit në një ankand në Sotheby’s në Londër të mërkurën për një çmim rekord botëror prej 9.28 milionë dollarë.

Rekordi i mëparshëm për një fanellë ishte 5.64 milionë dollarë, e cila u shit në 2019, të cilën e kishte veshur Babe Ruth gjatë sezoneve të tij 1928-1930 me New York Yankees.

Rekordi për një pjesë të kujtimeve sportive u vendos në vitin 2019, kur një manifest origjinal olimpik i vizatuar me dorë u shit në New York për 8.8 milionë dollarë.

Goli i famshëm “Dora e Zotit” u shënua nga Maradona, i cili në fakt e hodhi topin me dorë mbi portierin anglez Peter Shilton duke tundur rrjetën e tij në ndeshjen çerekfinale të Kupës së Botës 1986 kundër Anglisë, të cilën Argjentina e fitoi 2:1. Arbitri nuk e pa, kështu që goli u quajt i rregullt.

Pas ndeshjes, Maradona tha se goli u shënua “pak me kokën e Maradonës dhe pak me dorën e Zotit”.

Si rezultat, Argjentina fitoi Botërorin e dytë dhe të fundit deri më sot.

Maradona, i cili vdiq nga sulmi në zemër më 25 nëntor 2020, konsiderohet si një nga lojtarët më të mëdhenj të futbollit ndonjëherë.

Maradona, në atë kohë ishte 25-vjeç dhe ishte kapiteni i kombëtares së Argjentinës kur ndihmoi vendin e tij të fitonte Kupën e Botës FIFA 1986.

Ai luajti për Boca Juniors të Argjentinës, klubet spanjolle Barcelona dhe Sevilla dhe klubin italian Napoli.

Ylli argjentinas ishte një lojtar i dashur i Napolit pasi fitoi titujt e Serisë A të Italisë në vitet 1987 dhe 1990 si dhe Kupën UEFA 1989.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re