Dy familje humbën të dashurit e tyre me COVID në Spitalin Infektiv. Një zonjë 45 vjeç dhe një i ri 27 vjeç kanë ndërruar jetën.
Gruaja është me profesion farmaciste dhe prej disa ditësh ishte e intubuar. Është me origjinë nga Kruja dhe punonte në farmacinë e motrës së saj në Fushë-Krujë.
45-vjeçarja prej shumë vitesh me familjen e saj jeton në Durrës, ndërsa i riu është nga Kavaja.
Humbja e jetës së tij është konfirmuar dhe nga Ministria e Shëndetësisë, por burime të ABC News tregojnë se 27-vjeçari ishte talasemik.
Për këtë të fundit ministria lajmëroi se shkak i vdekjes nuk ishte COVID, pasi ai ishte asimptomatik, por hemoragjia cerebrale.
Për këtë vdekje në moshë farë të re kanë komentuar miqtë e tij në rrjetet sociale.
Gjithashtu dhe për farmacisten Xhire Çitozin ka reaguar Urdhri i Farmacistit.
Kolegët e pikëlluar për vdekjen e saj kanë ngushëlluar tre fëmijët, bashkëshortin dhe të afërmit.
Burime të ABC News thonë se gjatë ditëve në spital mjekët zbuluan se 45-vjeçarja vuante nga diabeti i fshehur, ajo nuk kishte sëmundje të tjera shoqëruese.
Me COVID -19 rezulton dhe motra e saj e cila është shtruar tek spitali “Shefqet Ndroqi” në gjendje të rëndë shëndetësore, aktualisht e intubuar.
Veç motrës e prekur nga virusi është dhe nëna e tyre.
Dyshohet se fillimisht është infektuar farmacistja e ëma dhe motra, pasi kanë marrë pjesë në një festë familjare gjatë fundjavës së shkuar në Durrës.
Ato kanë infektuar dhe të tjerë të afërm, por ata janë karantinuar në banesë dhe janë në gjendje të qëndrueshme shëndetësore.