Fatbardh Kadilli është njëri nga katër kandidatët për postin e kryetarit të PD-së në zgjedhjet e së dielës ku demokratët do të vendosin për liderin e ri që do i drejtojë për 4 vitet e ardhshme në betejën kundër PS-së me shpresën për të ardhur në pushtet.

I ftuar në Radarin Informativ në ABC, përballë gazetares Jonida Shehu ai u shpreh se nëse zgjidhet në krye të PD-së do i mjaftonin vetëm 100 ditë për të strukturuar partinë.

Do të më duheshin vetëm 100 ditë për të strukturuar partinë. Në momentin që shpall qeverinë në hije lidh kualitetet njerëzore për të shkuar drejt një gare nesër” tha ai.

Lulzim Bashën nuk hezitoi ta sulmojë ashpër për drejtimin e PD-së në 8 vitet e fundit.

Pse duhet të vazhdojmë në traditën e një lideri që nuk shkulet? Nuk duhet të jemi të obsesuar me individualitetin e liderit. Cdo lider ka të mirat dhe të këqijat e veta. Njeriu lëviz, partia mbetet. Kemi pasur një lider shumë të fortë. Politikani mbase më i talentuar në historinë e shtetit shqiptar, zoti Berisha.  

Nuk kam adhurim për Berishën, por respekt për zotësinë e tij, ishte i fortë, e mbante partinë të tonizuar, por të vogël, asnjëherë PD nuk ka dalë forcë e parë edhe në drejtimin e tij. Edhe në vitin më të mirë në 2009, kemi qenë 10 mijë vota poshtë PS-së. Pse? Sepse ishim të obsesuar me liderin.

E majta e ka filluar me Ramiz Alinë, kur këtej kishim Sali Berishën, dhe sot gati me Erion Velinë, kur ne akoma jemi te Ramiz Alia jonë, te Lulzim Basha, i pazoti për të menaxhuar cdo gjë. Ajo që e bën të madhe PD-në është sa e përthith shoqërinë”.

Garën, Kadilli e cilësoi të pabarabartë. “Ai (Lulzim Basha) ka përgjegjësi për humbjen unë nuk kam. Pabarazia e mjeteve, por edhe deputetët bëjnë fushatë për Bashën, i kanë borxh Bashës. Shumë kryetarë degësh bëjnë fushatë për Bashën, pasi ka qenë ai që i ka kandiduar. 

Të gjithë këta janë në borxh. Ai zotëron të gjithë aparatin e partisë. Njëlloj si Rama përdor mjetet e pushtetit për të mundur opozitën, njëlloj Basha, që vetëm fotografë ka 4, fonia, dekoret, etj”.

Por ka besim te avantazhet e tij. “Avantazhi im është vërtetësia ime. Në mënyrë absolute, mesazhi im është që Rama mundet, kur hapësira brenda nesh është demokratike.

Partia duhet të jetë më e madhe se kryetari dhe frymëzuese, që bëhet kur është e vërtetë. Nuk kam një njollë”. Në fund, edhe nëse humbet, Kadilli u shpreh se nuk do të largohet nga PD.

Në garë për postin e kryetarit të PD-së janë Lulzim Basha, Edith Harxhi, Fatbardh Kadilli dhe Agron Shehaj.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re