Ish-kandidati për kryetar të PD-së, Fatbardh Kadilli i ka bërë thirrje demokratëve dhe kreut të kësaj force politike që të marrin vendim të qartë, duke u distancuar nga Sali Berisha.

Sipas Kadillit, e ardhmja e PD s’mund të jetë ‘non grata’, ndaj ai ka theksuar se Lulzim Basha duhet të flasë dhe të mos e lerë fatin e partisë në kryqëzime të rrezikshme politike.

“E ardhmja e PD-së nuk duhet të jetë “non grata”. PD duhet të ketë një qëndrim të qartë në raport me ish kreun e saj Sali Berisha. Nuk mund të presim vendime surprizë apo të minutës së fundit për një çështje që lidhet me fatin dhe të ardhmen e PD-së. As nuk mund të zvarritemi pa bërë asgjë.

Berisha e ka bërë të qartë që fatin e PD-së do ta mbaj lidhur me fatin e vet “non grata”. Basha nuk flet duke e lënë partinë në kryqëzime të rrezikshme politike.

Është momenti të flasë partia çfarë qëndrimi ka për ish kryetarin “non grata”. Kjo është detyrë e Kryesisë dhe e Grupit Parlamentar. Për secilin koleg, është nder të ulesh në karrigen e kryesisë dhe të deputetit, por së pari është përgjegjësi.  Keni në dorë të merrni një vendim historik. Luhet fati dhe e ardhmja e Partisë Demokratike që nuk duhet të jetë “non grata’”, thekson Kadilli.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re