Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka zgjedhur sot përmes shortit trupin gjykues, i cili do të vendosë nëse prokurori i Krimeve të Rënda Besim Hajdarmataj do të shkarkohet nga detyra apo do të shërbejnë në drejtësi. Trupi gjykues do të kryesohet nga gjyqtarja

Rezarta Schuetz, ndërsa relator i çështjes do të jetë Ardian Hajdari. Pjesë e trupit gjykues si anëtarë do të jenë edhe Ina Rama, Natasha Mulaj dhe Sokol Çomo. Ndërkaq çështja e iniciuar nga Komisioneri Publik për prokurorin Hajdarmataj është regjistruar në Kolegjin e Apelit në 14 janar të këtij muaji.

Në 16 tetor të vitit 2019, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (shkalla e parë e Vetingut), me trupë gjykuese të përbërë nga Brunilda Bekteshi, Roland Ilia dhe Suela Zhegu, vendosi të konfirmonte në detyrë Besim Hajdarmataj, me konkluzionin se ka arritur një nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë dhe figurës, si dhe nivel kualifikues në vlerësimin e aftësive profesionale.

Por, në 4 dhjetor 2019, përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian në Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit të Vetingut, i kërkuan Komisionerit Publik që të ankimojë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin për konfirmimin në detyrë të prokurorit të Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj.

Në rekomandimin për rikthimin e Hajdarmatajt në Veting, thuhet ONM shpreh dyshime se prokurori ka marrë ryshfet në këmbim të sabotimit të dosjeve, ndonëse këto dyshime mbetet për t’u provuar.

Në 20 dhjetor 2019, Komisioneri Publik ka kërkoi Kolegjit të Posaçëm të Apelimit shkarkimin nga detyra të prokurorit të Krimeve të Rënda Besim Hajdarmataj. Në ankimim, përpos të tjerave, thuhet se Hajdarmataj, gjatë kohës kur ka qenë drejtues i Prokurorisë së Kurbinit, ka i mbyllur dosjen një grupi që ushtronte veprimtari në fushën e bixhozit. Grupi prej 15 vetash ka ndalur dhe kërcënuar 5 punonjës të Njësisë së Mbikëqyrjes të Lojërave të Fatit, duke u marrë me forcë 5 makineri APEX.

Për gati 1 vit e 3 muaj Hajdarmataj nuk ka krye asnjë hetim dhe në fund ka mbyllur dosjen. Kur është pyetur se pse e ka mbyllur këtë dosje pa bërë asnjë hetim, prokurori Hajdarmataj, në shpjegimet e tij, ka vënë në dyshim rrethanat e kallëzuara nga zyrtarët shtetërorë. Sipas ONM dhe Komisionerit prokurori kishte lidhje me njërin nga anëtarët e grupit të kallëzuar penalisht për “kundërshtim të punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik” dhe “vetëgjyqësi”. Kjo lidhje është konstatuar nga vetë KPK-ja që e konfirmoi në detyrë prokurorin.

Nga hetimi ka rezultuar se prokurori ka shkëmbyer mesazhe si dhe ka udhëtuar disa herë jashtë vendit me personin që i ka mbyllur dosjen. “Nga të dhënat e sistemit TIMS, rezultojnë kalime të përbashkëta të kufirit shqiptar përmes aeroportit të Rinasit, duke realizuar fluturime në të njëjtën ditë dhe në të njëjtin destinacion, më shumë se një herë”, thuhet në ankimim. Do të jetë pikërisht trupa gjykuese e Kolegjit, e cila do të thotë fjalën e fundit për të gjitha këto pretendime. (shqiptarja.com)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re