Prindërit e dy adoleshentëve kubanë që u dërguan me mashtrim në frontin në Ukrainë thonë se nuk kanë folur me djemtë e tyre prej javësh. Alex Rolando Vegas Diaz dhe Andorf Antonio Velazquez Garcia, të dy 19 vjeç, fluturuan në Rusi në fund të gushtit pasi iu premtuan “punë ndërtimi” me pagesë më të mirë atje, thanë prindërit e tyre.

Ata prisnin të bënin punë ndërtimi, por në vend të kësaj iu dhanë armë dhe u dërguan në vijën e tretë të mbrojtjes ruse në Ukrainë, ku përfundimisht u sëmurën për shkak të dehidrimit dhe kequshqyerjes, i thanë ata influencuesit kubano-amerikan Alain Lambert në një intervistë në fund të muajit gusht, raporton Business Insider.

Tani ata të dy janë zhdukur.

“Herën e fundit që kam dëgjuar nga djali im, ai ishte i mbyllur në një qeli me një djalë tjetër dhe ata ishin gati të ktheheshin në front”, tha babai i Andorfit, Mario Velazquez.

Velazquez shton se ai i dërgoi djalit të tij një mori mesazhesh në WhatsApp, por djali i tij nuk i shikoi kurrë.

“Nuk e di nëse është ende gjallë”, thotë babai. “Rusia e kapi atë. Kjo nuk është normale. Unë kurrë nuk kam qenë nën këtë lloj stresi. Ky është një makth.”

Velazquez thotë gjithashtu se kontaktoi qeverinë kubane, presidentin dhe ambasadën kubane në Meksikë, ku ai tani jeton, por pa rezultat. “Nuk mund të fle, nuk mund të ha, nuk di çfarë të bëj”, thotë ai. “Kjo histori duhet të përfundojë disi dhe përgjegjësit duhet të paguajnë.”

Nëna e Alex, Cary Diaz, thotë se ajo dhe familja e saj kanë vuajtur që kur mësuan se djali i tyre do të kthehej në front. Ajo nuk pranoi të thoshte asgjë tjetër.

Garcia dhe Diaz janë dy nga më shumë se 1000 kubanë që besohet se janë rekrutuar për të luftuar në Ukrainë, tha për Insider zyra kubane e Fondacionit të të Drejtave të Njeriut me bazë në Miami.

Në një intervistë me Lambert, ata deklaruan se fluturuan me një avion “plot kubanë”, me rreth dyqind persona.

“Ideja jonë ishte të largoheshim nga Kuba sepse nuk mund të qëndronim më dhe të fitonim disa para për të ndihmuar familjet tona”, tha Garcia.

Një grua kubane e quajtur Diana u bleu atyre bileta avioni për në Moskë, thonë ata. Pasi mbërritën atje, rusët u morën pasaportat e tyre dhe i çuan në një kantier ndërtimi të një shkolle sportive në Ryazan, një qytet në juglindje të Moskës. Pas një ekzaminimi mjekësor, ata thonë se u detyruan të kalonin atë që ata e përshkruajnë si një test “të rremë” të shtetësisë, që është një kërkesë për t’u bashkuar me ushtrinë ruse. Më pas ata u integruan në një njësi ruse, u trajnuan se si të përdornin armët dhe u dërguan në Ukrainë, rreth qindra kilometra larg vijës së frontit.

“Ne flinim në llogore dhe duhej të vëzhgonim vazhdimisht për sulme me dron”, tha Garcia. “Na hoqën celularët sepse dronët mund t’i lokalizojnë dhe na dhanë armë, helmeta, jelek antiplumb, municion dhe një kallashnikov”.

 Velazquez tha për Insajderin se adoleshentët kërkuan të ktheheshin në Kubë, por për këtë një ushtar rus i rrahu dhe i kërcënoi se do t’i dërgonte në burgun më të vjetër në Rusi. Garcia u sëmur nga pneumonia dhe Diaz vdiq në fushën e betejës pas vetëm disa ditësh në front. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re