Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë do të vendosin me votë për fatin e mandatit të ligjvënësit të PS-së, Vullnet Sinaj, për të cilin PD ka kërkuar dërgimin në Kushtetuese.
Mësohet se deputetët socialistë do të shfrytëzojnë opinionin e fundit të Komisionit të Venecias në momentin e votimit për të dërguar dosjen “Sinaj” në Gjykatën Kushtetutese ose jo.
Gjatë mbledhjes së të hënës, të zhvilluar nga Grupi Parlamentar i PS-së është pohuar se nuk ka një vendim politik për këtë rast dhe se të gjithë deputetët e mazhorancës janë të lirë të votojnë sipas gjykimit personal, mbështetur edhe në çfarë është shkruar ndër të tjera në opinionin e Komisionit të Venecias.
Procedura në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin ka përfunduar pas seancave të shumta ku është dëgjuar edhe vetë deputeti Sinaj.
Në mbledhjen e 17 Janarit mazhoranca dhe opozita, edhe pse secila me një raport të vetin, dolën me të njëjtin përfundim, që do të jetë seanca plenare që do të vendosë nëse kërkesa e PD-së “për konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetit Vullnet Sinaj” do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.
Vota e demokratëve është publike, të gjithë do të votojnë që çështja të shkojë për vendim në Gjykatën Kushtetutese. Ndërkohë që mazhoranca socialiste mësohet se do të mbështetet tek opinioni i fundit i datës 10 Dhjetor 2024 të Komisionit të Venecias ku ndër te tjera thuhet se deputetëve nuk mund t’u diktohet mënyra se si duhet të votojnë. Ky qëndrim i “Venecias” do të shfrytëzohet nga deputetët e mazhorancës socialiste për të qenë të lirë në vendimmarrjen personale, nëse dosja “Sinaj” të shkojë apo jo në Gjykatën Kushtetuese.
Një taktikë kjo që mund të përdoret nga shumica palramentare për të mbrojtur kolegun e tyre. Mbrojtje e cila është vënë re në intepretimet e mbajtura nga përfaqësuesit socialistë në mbledhjet e mëparshme të Këshillit të Mandateve.