Ai grupim artistësh që kundërshtojnë shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar për t’u zëvëndësuar nga një i ri, projekt i paraqitur javë më parë nga kryeministri Rama, i janë përgjigjur me tjetër projekt. Në këtë fundit, me autorësi nga Vladimir Bregu, godinat e vjetra nuk prishen, e mes tyre inkorporohet një hapësirë e xhamtë.

“Ne duam që mes dy teatrove të krijonim një holl të kristaltë, që do t’i jepte shumë dritë zonës”, u shpreh arkitekti Bregu.

“Teatri i rikonstruktuar do jetë me 4 kate dhe do te ketë 2 hyrje. Veshja e jashtme e teatrit do jetë prej metali e xhami. Kostoja mund të shkojë deri në 10 milionë euro bashkë me rikonstruksionin. Salla do jetë me sistem të kondiconuar dhe me të gjitha parametrat”, u tha më tej në prezantim.

Por ky është dhe thelbi i debatit: ekzistenca ose jo e dy godinave që sot përbëjnë Teatrin Kombëtar. Sipas qeverisë, e cila i referohet edhe ekspertizës së specialistëve, ato godina kanë shkallë aq të lartë amortizimi sa nuk mund të rikonstruktohen.

Ndërsa grupi i artistëve refuzues i qaset më pak ose aspak shkencërisht kësaj çështjeje: ata shohin tek godinat një traditë dhe identitet artistik që duhet të ekzistojë me patjetër si kujtesë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re