Mjeku anestezist Roland Xhaxho ka folur për situatën e koronavirusit në vendin tonë duke treguar se mund të vazhdojë edhe në muajt në vijim duke rritur numrin e viktimave dhe pacientëve që kanë nevojë për intubim. Në një intervistë për Fax News, Xhaxho u shpreh se ashtu siç të dhënat e kanë treguar, sëmundja nuk njeh moshë dhe mund të prekë moshat e reja.

“Unë supozoj që kjo situatë do të vazhdojë dhe në muajt e tjerë duke pasur nga dy apo tre të intubuar çdo ditë dhe fatkeqësisht për ta pohuar, çdo ditë 2 ose 3 humbje jete që mund të jenë personel mjekësor, njerëz të thjeshtë, të gjithë ata njerëz të cilët nuk i kanë respektuar rregullat apo që janë të sëmurë më para, të paditur që janë të sëmurë dhe me shumë probleme të tjera të shëndetit të tyre.

Njerëz që nuk kanë bërë check upin, të rinj që janë imunë, kanë sëmundje të tjera apo ndodhen në një ambient ku virolenca e virusit është shumë e lartë dhe organizmi nuk ka mundësi ta përballojë ashtu siç ka ndodhur”, u shpreh mjeku.

I pyetur për vendosjen e karantinës për herë të dytë, mjeku i shpreh se është e rëndësishme që qeveria të ndërmarrë hapa të tjerë pasi izolimi do të shkaktonte dëme shumë të mëdha ekonomike për vendin tonë.

“Nëse vendosim karantinë, do të shkaktonte dëme shumë të mëdha ekonomike dhe ajo që është më e rëndësishme është që, ashtu siç e tregojnë studimet, kjo do të vazhdojë për 2 vjet. Zotësia e qeverisë do të jetë që ta bëjë në një shtrirje sa më të gjatë në mënyrë që sistemi jonë shëndetësor të ketë mundësi të suportojë me rastet që mund të paraqiten në terapi intensive apo të kenë nevojë për intubim që të jetë më e lehtë për mjekët.

Se nëse kemi 30 të sëmurë, sistemi jonë shëndetësor nuk ka mundësi të përballojë se janë të pakët mjekët anestezisë. I sugjeroj qeverisë që ta shtrijë në kohë duke tërhequr, duke bllokuar aktivitete në mënyrë që të kemi një mundësi në mënyrë që neve sistem shëndetësor ti përgjigjemi kërkesave të popullsisë”, tha Xhaxho.(A.M/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re