Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka uruar studentët dhe pedagogët që nisën sot vitin e ri akademik 2023-2024.

Përmes një mesazhi në Facebook, Basha u ka uruar një vit të mbarë, ndërsa ka renditur problematikat me të cilat studentët hasen.

Basha u ndal tek protesta e studentëve të mjekësisë, duke u shprehur se vendimi i tyre për bojkotin e mësimit është i drejtë.

“Fatkeqësisht, ky vit akademik po nis me bojkot të mësimit nga studentët e Mjekësisë, të cilët me të drejtë kundërshtojnë ligjin anti-kushtetues dhe anti-demokratik të ndalimit të dhënies së diplomës së mjekut me kushtin e punësimit prej disa vitesh brenda vendit”, tha kreu i PD-së.

Ai theksoi se studentët largohen nga vendi jo nga dëshira por sepse nuk kanë mundësi e paga dinjitoze.

“Largohen nga shpërfillja e një qeverie që nuk i dëgjon dhe nuk i ofron siguri për të nesërmen”, tha Basha.

Postimi i Bashës:

Sot në nisje të vitit të ri akademik i uroj studentëve dhe pedagogëve një vit të mbarë dhe të suksesshëm.

Në takime me studentë e pedagogë jam njohur me probleme themelore të cilat përballen çdo ditë: mungesa e mbështetjes për mirëkualifikimin e stafit akademik, arsimim jo cilësor e bashkëkohor, mungesë të infrastrukturës fizike e dixhitale, tarifa studimi të larta, politika jo mbështetëse për karrierë e punësim.

Fatkeqësisht, ky vit akademik po nis me bojkot të mësimit nga studentët e Mjekësisë, të cilët me të drejtë kundërshtojnë ligjin anti-kushtetues dhe anti-demokratik të ndalimit të dhënies së diplomës së mjekut me kushtin e punësimit prej disa vitesh brenda vendit.

Studentët largohen nga vendi jo nga dëshira por sepse nuk kanë mundësi, nuk kanë kushte, nuk kanë punë e pagë dinjitoze për të ndërtuar një jetë të mirë në vend, largohen nga shpërfillja e një qeverie që nuk i dëgjon dhe nuk i ofron siguri për të nesërmen.

Shqipëria do të bëhet një vend më i mirë dhe dëshirueshëm për studentët dhe pedagogët jo duke ndëshkuar ata që kërkojnë të largohen për shkak të kushteve ku është katandisur arsimi universitar, por duke investuar në arsim dhe kërkim shkencor, duke rishikuar tarifat studimore, duke ofruar mbështetje konkrete për arsimimin dhe punësimin e studentëve me paga dinjitoze.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re