Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, i ftuar në studion e “Absolut 4”, u shpreh se kryeministri Edi Rama është “kulmi i së keqes që mund të ketë një vend”.
“Rama më ngjall neveri sa herë që flet si rrugaç. Të kesh një kryeministër rrugaç është turp për një vend, kulmi i së keqes që mund të ketë një vend.
Sali Berishën nuk e krahasoj kurrë në botë me Edi Ramën. Berisha ka qenë njeriu që ka drejtuar revolucionin demokratik në Shqipëri, liberalizoi vizat e shumë të tjera. Ndërsa ky batakçi shet Shqipërinë, Kosovën dhe socialistët”, deklaroi Mediu.
Kur u pyet për listën e paraqitur nga opozita, Mediu tha:
“Është ndërtuar një listë që është përpjekur të ruajë vlerën e koalicionit dhe boshtin e Partisë Demokratike. Avantazhi i parë është që ka koalicion të gjerë, që Edi Rama nuk e ka.
Kjo është një vlerë e shtuar, por që duhet të funksionojë. Çdo votë e partive aleate duhet të kthehet në votë efektive për të gjithë koalicionin. Suksesi i opozitës do të qëndrojë në bashkëpunimin në çdo qendër votimi”.
Sipas Mediut, mund dhe duhet të kishte pasur më shumë risi:
“Do të doja të kisha parë më shumë risi dhe janë të gjitha mundësitë për të pasur risi. Unë kam bindjen se ka kualitete të jashtëzakonshme, që do të bëheshin pjesë po të ndërtonim një raport më të zhdërvjellët.
Ana tjetër është funksionimi i koalicionit. Të gjithë kandidatët për deputet duhet të besojnë që ka shansin për të fituar”.
Mediu tha se kryeministri Edi Rama “ka një sistem informativ kriminal, ku ka marrë të dhënat e të gjithë qytetarëve shqiptarë”.
“Edi Rama ka një sistem informativ kriminal, ku ka marrë të dhënat e të gjithë qytetarëve shqiptarë, që tregojnë se ku jetojmë, numrin e telefonit, problemet që kemi me shtetin, me çfarë merremi, me përbërjen tonë familjare, qasjen tonë politike etj.
Të gjithë të dhënat e qytetarëve janë në dorën e Partisë Socialiste dhe Edi Ramës, për t’i intimiduar dhe për të ndërtuar politika që i interesojnë atij”, tha Mediu.
“E ka bërë edhe më përpara. Janë disa përfaqësues të PS-së që e kanë këtë sistem, ku mund të logohesh dhe gjen të dhënat. Të dhënat tona personale janë në dorën e një grupi politik”, shtoi Mediu.
