Fatmir Mediu ka vijuar me takimet e tij elektorale.

Ai tha se Edi Rama ka ardhur tek ajo pikë që nuk ka ndodhur ndonjëherë në historinë tonë kombëtare, ku sipas tij do të shbëjë edhe vendin tonë dhe vlerat.

“Dua t`ju falënderoj sinqerisht sepse familja republikane është familja e njerëzve të mirë dhe dua që gjithësecili nga ju të jetë krenar.

Edi Rama ka ardhur tek ajo pikë që nuk ka ndodhur ndonjëherë në historinë tonë kombëtare, do të shbëjë edhe vendin tonë dhe vlerat, traditën dhe çdo gjë që ka qënë e vlefshme dhe e pacënueshme nga ndonjë politikan, qeveri apo forcë politike.

Edi Rama thotë që shqiptarët janë dembelë, shqiptarët nuk dinë, janë të paaftë, prandaj duhet të marrim punëtorë nga Bangladeshi, nga Pakistani, nga India, që të vëjë në lëvizje ekonominë shqiptare, sipas Edi Ramës. Edi Rama pas kësaj fsheh një qëllim tjetër, sepse Edi Rama e di që gjithësecili nga ju nuk e ka mendjen vetëm të hajë, të pijë dhe të flejë gjumë, por beson tek dinjiteti, beson tek liria dhe nëpërmjet lirisë të krijojë mundësi për të ecur në rrugën e vet, duke u përballur me të keqen.

Prandaj Edi Rama do që shqiptarët të largohen nga Shqipëria. Unë nuk kam njohur apo të kem lexuar një njeri i cili nga mëngjesi deri në darkë të shajë, të fyejë, të përbuzë, jo vetëm kundërshtarin politik, por çdo shqiptar që i del përpara dhe ka një mendim tjetër. Njeri i cili nëçdo moment i shërben vetëm interesave të veta të pushtetit dhe nuk pyet se ç`ndodh me njerëzit.

Ne kemi arritur tashmë me Partinë Demokratike të biem dakort në vlerësimin real të çështjes së të drejtës së pronës. Sot kemi një qëndrim të përbashkët, rivlerësim të legjislacionit për pronën, kthim të pronës tek pronari dhe kompensim me vlerën e tregut. Këto janë qëndrime të reja, jo të Partisë Republikane, por janë qëndrime të reja të së djathtës, duke e sjellë atë në binarët real të raporteve të drejta, sepse liria pa pronën nuk mund të funksionojë.

Prandaj gjithë përpjekja jonë është që të fitojë koalicioni, por të fitojë dhe Partia Republikane bashkë me koalicionin. Është shumë e rëndësishme të votojmë për numrin 9, por të kërkojmë me bindje dhe me kurajo për të votuar për numrin 7.

Po ju tha kush, pse numri 7, e thjeshtë, se 7 është Partia Republikane, e cila ka qënë në krah të Partisë Demokratike në ditë të vështira dhe në ditë të mira. Është numri 7 i cili ka qëndruar gjithë kohës krah të djathtës dhe parimeve të shenjta që i përmendi dhe zoti Mustafaj.

Pra ne nuk kemi pse të druhemi që të kërkojmë atë që është e drejta jonë. Vota nuk është pronë e asnjë partie. Vota është marrëdhënie njerëzore, është besim, është vlerësim që na japin njerëzit. Prandaj le të kërkojmë votat tona tek të gjithë shqiptarët, pa përjashtim, majtas, djathtas, miq, shokë, familjarë, të gjithë të dalin dhe të votojnë “Aleancën për Ndryshim”, thotë Mediu. (TemA)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re